Mosndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve, inkurajon të tjerët që të sulmojnë dhe kërcënojnë gazetarët


E shtunë, 2 Nëntor 2019

PRISHTINË – Më 2 nëntor shënohet dita ndërkombëtare për eliminimin e mosndëshkimit për krimet ndaj gazetarëve, përmes së cilës bëhet fushatë globale dhe kërkohet nga institucionet shtetërore që të parandalojnë dhunën ndaj gazetarëve.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka theksuar se autorët e krimeve duhen të sillen gjithmonë para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

“Mosndëshkimi i krimeve ndaj gazetarëve inkurajon të tjerët që të sulmojnë fizikisht dhe kërcënojnë gazetarët.

AGK rithekson se institucionet e sigurisë dhe të drejtësisë duhen të tregohen më efikase në trajtimin e rasteve të sulmeve, kërcënimeve, frikësimeve dhe presioneve ndaj gazetarëve dhe punëtorëve medial.

Në këtë ditë, AGK po ashtu përkujton vrasjen dhe zhdukjen e gazetarëve në Kosovë për të cilat raste asnjë kryerës i veprave kriminale nuk është sjellur para drejtësisë.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka shpallur 2 nëntorin ditën ndërkombëtare për përfundimin e mosndëshkimit të krimeve ndaj gazetarëve duke iu bërë thirrje shteteve anëtare që të zbatojnë masa që të luftojnë kulturën aktuale të mosndëshkimit”, thotë AGK.

Etiketa: