Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Muja: Prizrenin e fitoj pa balotazh

Prizren Post | 09:34 - 09.09.2013

Ramadan Muja

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, të cilin PDK-ja e ka rikandiduar edhe për një mandat për ta qeverisur këtë komunë, ka thënë se do të fitojë bindshëm në zgjedhjet lokale të 3 nëntorit.
Muja ka thënë se nuk ia ka frikën asnjë kundërkandidati për garën për Prizren, as Eqrem Kryeziut. “Kryeziu është në siklet. Ai do ta përjetojë edhe më keq humbjen e 3 nëntorit se atë të zgjedhjeve të 2007-s”, është shprehur Muja në një intervistë për “Epokën e re”.

Ai ka thënë se fitorja e tij dhe e PDK-së në Prizren do të jetë e thellë dhe do të arrihet qysh në rundin e parë.

Pavarësisht se është në një proces gjyqësor, Muja është i sigurt se do të fitojë edhe më shumë mbështetje nga qytetarët.

“Jam shumë i bindur se ky rast nuk do të ndikojë negativisht për arsye se në atë aktakuzë nuk ka bazë për vepër penale. Nuk kam bërë vepër penale, por kam bërë vepër humane. Trualli që ua kemi dhënë në shfrytëzim shkollës ‘Mehmet Akif’ dhe Fabrikës së Çokollatës është vepër humane”, ka thënë ai, duke shtuar se në këtë shkollë dhe në këtë fabrikë janë punësuar 320 punëtorë.

Muja ka treguar se në mandatin e ardhshëm do të ketë më shumë vende të reja të punës dhe zhvillim ekonomik në Prizren. “Gjatë këtij mandati do të tregojmë interesim shumë të veçantë për hapjen e vendeve të reja të punës sepse jemi të interesuar ta zbusim papunësinë dhe të krijojmë kushte për zhvillim të hovshëm ekonomik të Komunës së Prizrenit”, ka premtuar Muja. /Telegrafi/


Arivisti Company