Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Mustafa: Asociacioni, tema më e vështirë

Astrit Shehu | 15:10 - 05.07.2015

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka vlerësuar se mundi që është bërë deri tani nuk ka mjaftuar për të arritur marrëveshje me Serbinë.

Megjithatë, sipas kryeministrit disa nga marrëveshjet janë në proces të nënshkrimit, siç është liberalizimi i vizave, derisa si temën më të vështirë ai e vlerëson atë për Asociacionin e Komunave Serbe.

Ja postimi i kryeministrit Mustafa në “facebook” rreth dialogut me Serbinë:

“Normalizimi sa më i shpejtë i marrëdhënieve me Serbinë është faktor i rëndësishëm jo vetëm i të ardhmes evropiane të Kosovës por edhe i përqendrimit në zhvillimin e saj ekonomik dhe social. Akoma mbeten shumë çështje të cilat duhet të dialogohen.

Jemi në proces të nënshkrimit të Marrëveshjes për Stabilizim Asocim, të përmbylljes së plotësimit të kushteve për liberalizim të vizave dhe kemi nevojë për tërheqje të investimeve të jashtme dhe kapitalit të jashtëm për zhvillim ekonomik. Të gjitha këto dhe shumë procese tjera kushtëzohen me stabilitetin e brendshëm dhe me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
Asociacioni i Komunave po vërtetohet se është ndër temat më të vështira. Delegacioni i Kosovës u tregua korrekt dhe konstruktiv, për të gjetur zgjidhje brenda sistemit kushtetues dhe ligjor të vendit tonë. Në anën tjetër pala serbe ishte insistuese që asociacioni të kryejë disa punë të pushtetit qendror dhe atij LOKAL, kurse njerëzit që kryejnë këto punë të kenë cilësinë e punonjësve shtetërorë.

Çdo zgjidhje e cila, pa marrë parasysh formën, do të krijonte në realitet asimetri pushtetesh jo vetëm që do të jetë e dëmshme për Kosovën por edhe për miqtë tanë që na kanë ndihmuar në ndërtimin demokratik dhe institucional, sepse do të prodhohej një sistem jofunksional dhe joperspektiv, i cili do të na shtyj që me dekada të merremi me vetveten.

Ne jemi të interesuar të gjejmë zgjidhjen më të mirë e cila ndihmon në integrimin e serbëve dhe u krijon atyre hapësirë zhvillimore dhe perspektivë jete, sikurse edhe të gjithë qytetarëve të tjerë të vendit tonë. Jemi të gatshëm që të shpenzojmë edhe shumë kohë e energji për zgjidhje që do të jetë e qëndrueshme, e cila do të krijoj stabilitet për vendin tonë, stabilitet regjional dhe perspektivë evropiane. Zgjidhjet e tilla nuk janë ideale, ato janë të rënda sidomos për ata që negociojnë dhe duhet të marrin vendime, por këto zgjidhje e lehtësojnë jetën tonë”.


Arivisti Company