Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Mustafa paralajmëron format tjetër për bisedimet në Bruksel

Prizren Post | 11:30 - 07.08.2016

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Prishtinë – Kryeministri Isa Mustafa, ka paralajmëruar format krejtësisht tjetër për bisedimet me Serbinë në Bruksel. Ai ka deklaruar se dialogu si i tillë nuk po jep rezultate dhe ka akuzuar Serbinë për papërgjegjësi totale lidhur me zbatimin e marrëveshjeve.

Mustafa në një intervistë për REL-in, e ka cilësuar “të papërgjegjshme Serbinë në raport me zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel” dhe tha se dialogu ndërmjet dy vendeve duhet të rifillojë me format dhe koncept tjetër dhe se ai duhet të profilizohet dhe të përcaktohet një afat kohor kur duhet të përmbyllet.

“Ka mbetur që dialogu të rifillojë atëherë kur të konstituohet qeveria e Serbisë, pas zgjedhjeve në Serbi, por ju e shihni se ende kjo nuk po kryhet. Mendoj se dialogu duhet të fillojë me një format dhe koncept krejtësisht tjetër, sepse kjo çka po duket tani lidhur me moszbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, prolongimin e tyre dhe papërgjegjësinë totale të Serbisë lidhur me marrëveshjet që janë nënshkruar, dhe përforcimet e strukturave paralele, flet se dialogu nuk po jep rezultate për të cilat po zhvillohet dhe nuk ka seriozitet të palës serbe sa i përket dialogut”, është shprehur Mustafa.

Ai ka shtuar se do të bëj vërejtje konkrete dhe shumë të adresuara në BE lidhur me këtë gjendje.

“Ne duhet të profilizojmë saktë dialogun, duhet të kemi një agjendë të qartë të dialogut dhe po ashtu duhet të kemi një afat se për sa ne do të dialogojmë, sepse nuk mund të humbim kohë pakufi me dialog me Serbinë. Po e shohim se nuk ekziston vullneti i palës serbe që të zbatojë marrëveshjet e paketës së dialoguar”, ka thënë ai.


Bëni një koment

Arivisti Company