E mërkurë, 13 Gusht 2014
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, iu ka kundërpërgjigjur Adem Grabofcit.
- Ai në një postim ka shkruar se PDK-së është subjekti që ka krijuar bllokadë dhe ata duhet ta paguajnë dëmin që Kosovës po i shkaktohet nga kjo bllokadë.
- Mustafa ka shtruar shumë pyetje që kanë të bëjnë me seancën e 17 korrikut, duke thënë se shihet qartë se kush ka bllokuar procesin.
- Ai është ndalur edhe te Gjykata Kushtetuese, e cila sipas tij, jo vetëm që pezulloi Kryetarin, por shkoi edhe më larg, e ndaloi edhe punën e deputetëve që kanë marrë votën e popullit, por nuk pezulloi nënkryetarët e zgjedhur në të njëjtën procedurë.
Në vazhdim po sjellim postimin e plotë të Isa Mustafës në Facebook.
PDK dhe koalicionistët e saj po bëjnë propagandë pa krip për bllokadën e institucioneve. E unë i pyes: Kush e bllokoi Seancën konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës më dt. 17 Korrik? Kush i la peng për tre orë 83 deputetë në sallë? Kush ua pamundësoi deputetëve që kishin dhënë betimin të diskutojnë e të shprehin mendimet? Kush abuzoi me rendin e ditës? Kush e dërgoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkoi masë të pezullimit për Kryetarin e zgjedhur me pjesëmarrje të 83 deputetëve, me 65 vota? Dhe, Gjykata jo vetëm që pezulloi Kryetarin, por shkoi edhe më larg, e ndaloi edhe punën e deputetëve që kanë marrë votën e popullit, por nuk pezulloi nënkryetarët e zgjedhur në të njëjtën procedurë!? Kush i jepte udhëzime Kryesueses se si të bllokojë Kuvendin, që shihet edhe në xhirim?
Ishin njerëzit nga rendi i parë i PDK-së. Prandaj, ju të PDK-së jeni ata që krijuat bllokadë dhe ju duhet ta paguani dëmin që Kosovës po i shkaktohet nga kjo bllokadë. Shkruani sa të doni vet, apo porosisni tjerët të shkruajnë për juve, e ju dërgoni ato si artikuj autorial. Njëjtë e keni. Askush nuk ju beson. Bllokada dhe bllokuesit u panë qartë.