Mustafa thërret ministrat të jenë në seancë nesër


E mërkurë, 15 Korrik 2015

muust

Mustafa ka ftuar ministrat që nesër të jenë në seancën e Kuvendit kur do të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Buxhetin e Kosovës për vitin 2015.

Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, Mustafa tha se secili ministër duhet të jetë i pranishëm në mënyrë që t’iu përgjigjet secilës kërkesë të deputetëve për arsyetimin e asaj çfarë është në buxhet.

Kreu i ekzekutivit Isa Mustafa tha se është mirë që Komisioni për Buxhet dhe Financa nuk ka propozuar amendamente të cilat e ndryshojnë strukturën e buxhetit dhe pastaj e nxjerrin nevojën që të rikonsiderohet edhe një herë.

“Dëshiroj të nënvizoj që është e domosdoshme që të jenë ministrat nesër në Kuvend për këtë pikë sepse mund të shtrohen kërkesa dhe të bëhet debat në Kuvend dhe të shtrohen kërkesa të ndryshme që i përkasin ministrive të ndryshime për të cilat pastaj duhet çdo ministër veç e veç ta marr rolin aktiv në arsyetimin e asaj çfarë është në buxhet. Ne gjithë jemi koshientë lidhur me kapacitetet e buxhetit dhe lidhur me mundësitë që kemi pasur tek ky ndryshim dhe plotësim i buxhetit”, tha Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa.

N ë mbledhjen e kabinetit qeveritar, ministri e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Lubomir Mariq ka ngritur shqetësimin për sulmet që janë bërë ndaj serbëve nga janari i këtij viti e deri me tani.

“Që nga janari kemi rreth 20 sulme ndaj serbëve të kthyer në komunën e Klinës, dhe 20 sulme në komunën e Pejës. Pra janë dikur rreth 60 raste në këtë periudhë, përfshi, dhe së fundmi edhe në fshatin Gorazhdec. Pra janë të gjitha sulme mbi serbët e kthyer. Sulmi më serioz kanë qenë në janar në Dresnik të komunës së Klinës”, tha Mariq.

Por, kryeministri Isa Mustafa duke iu përgjigjur këtij shqetësimi, tha se do të kërkojnë si qeveri që organet përgjegjëse ta bëjnë punën e vet dhe të zbardhet secili rast, pa marr parasysh ndaj kujt është bërë sulmi.

“Ne e dënojmë çdo sulm që ndodh ndaj qytetarëve serb në Kosovë. Por duhet të bashkëpunojmë, të punojmë së bashku që të ketë sa më pak, sepse edhe unë edhe ministrat jemi të gatshëm që gjithmonë të jemi në ato mjedise që mund të kemi probleme të tilla. Janë krime të cilat ndodhin dhe ndaj të cilave duhet të merren masa ligjore…Ajo që ne do të angazhohemi si qeveri është që gjithë qytetarët ta ndijnë vetën të siguritë dhe të mos ketë probleme të tilla që nesër probleme të tilla mos t’i dallojmë se a po bëhen ndaj serbëve apo shqiptarëve, çdo krim do të jetë i dënueshëm dhe do të merren masa”, theksoi ai.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe disa propozim vendime dhe rregullore.