Mustafa: Veprimet e opozitës nuk përkrahen nga qytetarët


E enjte, 22 Tetor 2015

Madrid – Kryeministri i vendit, Isa Mustafa deklaroi të enjten se veprimet e dhunshme dhe jo demokratike të opozitës nuk e kanë përkrahjen e qytetarëve të Kosovës
Mustafa këto komente i bëri në Kongresin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), ku ishte në panelin qendror të Kongresit, që u zhvillua në Madrid të Spanjës.

Duke folur për vendimet shumë të vështira dhe të ndjeshme me të cilat Qeveria e Kosovës është ballafaquar këtë vit, si themelimi i Gjykatës Speciale, marrëveshjet në dialogun me Serbinë dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi, kryeministri Mustafa tha se të gjitha këto vendime do të ndikojë në forcimin e sistemit të drejtësisë, paqes, stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Sa i takon marrëveshjeve me Serbinë, kryeministri Mustafa tha se ka ngecje në implementimin e tyre.

Ndërkaq, lidhur me faktin se këto marrëveshje kanë hasur një rezistencë të fortë nga partitë opozitare në Kosovë dhe veprime të dhunshme dhe jodemokratike, kryeministri Isa Mustafa tha se këto veprime nuk përkrahen nga qytetarët e Kosovës. /Telegrafi/