Muzeu Arkeologjik i Prizrenit – Hamami i Shemsedin Ahmet Beut dhe Sahat Kulla


E diel, 30 Qershor 2019

PRIZREN – Hamami i Shemsedin Ahmet Beut dhe Sahat Kulla gjenden në pjesën perëndimore të qytetit të vjetër. Hamami është ndërtuar në shekullin XV, përkatësisht në vitin 1498. Nuk dihet se deri në cilin vit është përdorur si hamam, por dihet se hamami nuk ka kryer funksionin e tij që nga mesi i shek. XIX kur mbi hapësirën e ngrohtë të Hamamit është ndërtuar Sahat Kulla.

Sahat Kulla fillimisht ishte e ndërtuar me dru, kurse në shekullin e XIX në gjendjen e tanishme, ndërtuar me gurë dhe tulla e ndërtoi Eshref Pashë Rrotulli. Më 1912 nga Sahat Kulla u morën ora dhe kambana, dhe sot e asaj dite ato ende mungojnë. Deri në vitin 1970 Hamami i Shemsedin Ahmet Beut dhe Sahat Kulla përdoreshin nga banorët e afërt si depo, ahër, e vend mbeturinash, duke e dëmtuar në masë të madhe objektin.

Pas vitit 1970 fillojnë punimet për mbrojtjen e kësaj vlere të historisë, në vitin 1972 bëhet dhe eksproprijimi i parcelave, ndërsa në vitin 1975 hapet objekti me një destinim të ri, pra bëhet shndërrimi i hamamit në Muze Arkeologjik të Rajonit të Prizrenit.

Objekti i Hamamit ka formë drejtkëndëshe dhe është ndërtuar me gurë të ndryshëm dhe tulla të lidhura me llaç gëlqeror. Kulmi ka shtatë kupola dhe tri qemerë, dhe të gjitha janë të mbuluara me plumb. Dyshemeja e objektit është shtruar me pllaka guri të vendosura në vitet 1972/75 të shekullit XX kur objekti shndërrohet në muze arkeologjik.

Në fund të viteve 60’ dhe në fillim të viteve 70’ të shekullit XX në Rajonin e Prizrenit, kryesisht në rrjedhën e Drinit të Bardhë u zbuluan shumë lokalitete arkeologjike, u zhvilluan shumë ekspedita gjurmuese nga të cilat u zbulua një material shumë i pasur arkeologjik. Muzeu trajton materialin arkeologjik nga lokalitete arkeologjike të Rajonit të Prizrenit, gjegjësisht nga komuna e Prizrenit, Dragashit, Rahovecit, Malishevës dhe Suharekës. Materiali i ekspozuar prezanton një periudhë të gjerë kohore të artefakteve, që nga Neoliti, Eneoliti, Periudha e Bronzit, Periudha e hekurit, Periudha Antike e Romake, Mesjeta dhe Periudha Osmane.

Monumenti është një kompozicion i veçantë arkitektonik, gërshetimi i Hamamit së bashku me Sahat Kullën, dhe vendosja këtu e muzeut arkeologjik, është rast unik që nuk gjendet diku tjetër. Hamami i Shemsedin Ahmet Beut është ndër hamamet më të vjetra të Ballkanit dhe së bashku me Sahat Kullën përbëjnë ndër objektet më interesante dhe karakteristike të qytetit të Prizrenit.
Në vitin 2008 janë zhvilluar punimet në restaurimin e brendshëm të objektit nga MKRS-ja, ndërsa në vitet 2014/15 me financimin e Ambasadës Amerikane në Kosovë është bërë restaurimi i jashtëm i Muzeut, kulmi, si dhe i ambienteve përcjellëse (oborrit, zyrave, nyjeve sanitare etj).

Muzeu Arkeologjik ka vlerë të jashtëzakonshme, pasi që paraqet një ndërtesë të veçantë me dy tipologji. Vazhdon të funksionoj si muze dhe të pret vizitorë, të cilët mund të shohin një larmi të madhe të vlerave të trashëgimisë kulturore të Prizrenit në një vend të vetëm.

Etiketa: ,