Nacionalizmi maqedonas nxit “betonizimin” grek


E shtunë, 22 Shkurt 2014

Shkup, 22 shkurt – Vizita e kryediplomatit grek Evangelos Venizelos në Shkup nuk arriti që të dalë përtej parashikimeve të zymta si një iniciativë kurtuazie. Ministri grek pati takime dhe me zyrtarët maqedonas me të cilët shkëmbeu muhabetet tashmë të betonuara për moslëshim pe ndaj palës tjetër. Nuk pritej që të kishte lëshim të pozicioneve, aq më tepër kur Venizelos erdhi në Shkup me petkun e një zyrtari evropian.

Analisti politik Alajdin Demiri thekson se vizita e Venizelos në shtetet e rajonit është më tepër protokollare si kryesues të BE-së, sesa një vizitë substanciale.

“Ndoshta pati disa lëvizje pozitive në përmirësimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe drejt njohjes së Kosovës, por në Maqedoni nuk është vërejtur ndonjë seriozitet i vizitës dhe u pa se nuk do të çelen temat serioze ndërmjet fqinjëve. Që nga nisja dhe marshuta që e bëri kryediplomati grek ai u pozicionua se nuk do të ndryshojë qëndrimi grek ndaj Maqedonisë. Prandaj, nuk mendoj se do të ketë ndonjë lëvizje pozitive ndaj Maqedonisë”, ka thënë Demiri, për “Zhurnal Plus”. Greqia është e pozicionuar në atë mënyrë që nuk duket asnjë shenjë që do të mund të ndryshojë pozitat. Me siguri Athina pret “isharetet” që maqedonasit të ndryshojnë qëndrim, thekson Demiri.

Sipas tij, ndryshimi i kursit nga pala maqedonase në pushtet nuk pritet derisa të jetë në pushtet VMRO-ja e Gruevskit, për arsye se VMRO e ka sjellë gjendjen këtu me nacionalizmin e vet dhe e ka vështirë të kthehet prapa. Në anën tjetër, analisti Demiri thekson se është e qartë se ka një afërsi formale të grekëve me BDI-në për arsye se pala shqiptare nuk është faktori që vendos në këtë fazë.

“Mjeshtëria e politikëbërjes së grekëve është që të krijojë një afërsi dhe mirëkuptim me palën shqiptare, duke synuar që të krijohet një front tjetër brenda Maqedonisë ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve. Grekët tashmë e kanë të qartë që vetëm maqedonasit nuk janë të interesuar që të zgjidhen kontestet, ndërsa shqiptarët merren si partnerë. Këtu nuk bëhet fjalë për shqiptarët si komb, ndërsa ndaj shqiptarëve të Shqipërisë, grekët kanë tjetër qasje. Ky është thjeshtë përfitim nga situata”, thekson Demiri.

Edhe analisti tjetër Ismet Ramadani ka vlerësuar se në Maqedoni, Venizelos është politikan i padëshirueshëm nga pala maqedonase në pushtet. Sigurisht se takimet me përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri janë më miqësore, mendon Ramadani.

“Pala shqiptare nuk e fsheh që është për kompromis dhe ndryshim të emrit të shtetit. Në bisedimet e deritashme pala shqiptare e ka theksuar atë se nuk është që Maqedonia të insistojë në ekskuzivitetin e Maqedonisë antike. Duhet që të hiqet dorë prej asaj periudhe, sepse shanset për të gjetur zgjidhje janë zero. Sigurisht se zyrtarët e BDI-së nuk pajtohen me partnerin e koalicionit sa i përket këtyre çështjeve dhe kjo i afron me grekët”, ka thënë Ramadani.

Ai thekson se partitë shqiptare, sidomos BDI, duhet t’i bëjë më transparente bisedat me palën greke, ndërsa është e nevojshme që të thuhet qartë se kreu shtetëror duhet të tërhiqet nga ekskluziviteti i historisë antike dhe të pranojë kompromis. Ramadani mendon se takimet e ministrit grek me zyrtarët shtetërorë maqedonas janë takime kurtuazie dhe nuk mund ta ndryshojnë kahjen e bisedimeve.

Sipas Ramadanit është e rëndësishme që të parandalohet forcimi i frymës anti-evropiane, anti-NATO dhe antigreke, që mund të fryhet nga disa media ose organizata joqeveritare. Në një rast të tillë do të tensionohej edhe më shumë situata, ndërsa Greqia mund t’i radikalizojë edhe më shumë qëndrimet. Në këtë rast humbëse do të ishte Maqedonia. Gjatë vizitës së Venizelos në Shkup, ministri i jashtëm maqedonas Nikolla Poposki ironizoi faktin që kolegu i tij iu shmang konferencës së përbashkët me të, duke u shprehur se me siguri atij nuk i pëlqeu panoja ku gjendet mbishkrimi: ‘Republika e Maqedonisë’. Poposki kishte theksuar se për momentin nuk ekziston klimë politike e palës greke për sheshimin e mosmarrëveshjeve. Ndërkohë, diplomati maqedonas ka thënë, sigurisht për kurtuazi politike, se Maqedonia mbetet e hapur për dialog, në çdo moment, në çdo vend dhe në çdo format.

Kryeministri Nikolla Gruevski, gjatë takimit me Venizelos, ka shprehur interesin për vazhdimin e bisedimeve nën patronazhin e OKB-së, ndërsa presidenti Gjorqe Ivanov ka thënë se nuk u ka hije dy shteteve fqinje evropiane në shek XI që të mos komunikojnë në nivel më të lartë. Në anën tjetër, Venizelos ka pasur takime më të relaksuara me zv/kryeministrin për çështje evropiane Fatmir Besimi, i cili këtë vizitë e cilësoi si mundësi të përkryer për të biseduar për euro-integrimet e vendit dhe përforcimin e bashkëpunimit mes Shkupit dhe Athinës. Në një frymë të tillë ka shkuar edhe takimi me kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, gjatë të cilit është thënë se dy palët kanë pikëpamje të njëjta për shumë çështje. Ministri i Jashtëm grek Venizelos e ka ftuar homologun e tij Nikolla Poposki, në takimin e prillit të ministrave të jashtëm të vendeve anëtare dhe kandidate të BE-së, i cili do të mbahet në prill në Selanik./zhurnal/