Ndërkombëtarët, të trishtuar me ngjarjet në Kuvend


E martë, 15 Dhjetor 2015

Prishtinë – Nga dhuna e shkaktuar në Kuvendin e Kosovës nuk kanë mbetur të trishtuar vetëm qytetarët e Kosovës, por edhe ambasadat ndërkombëtare në Kosovë. Ambasadori amerikan, Greg Delawie, dhe ai i Britanisë së Madhe, Ruairi O’Connell, kanë mbetur të zhgënjyer me atë se çfarë ka ndodhur dje brenda dhe jashtë Kuvendit.

“Është zhgënjyese të shohësh skena të tilla përsëri. Dua t’ua rikujtoj të gjithëve se vetëm para dy javësh shefi im, sekretari Kerry, ishte në Kosovë dhe inkurajoi deputetët se dhuna nuk është zgjidhje e as hedhja e gazit”, ka thënë Delawie.

Duke parë situatën pas hedhjes së gazit lotsjellës herën e parë, ambasadori Delawie përgëzoi pjesën tjetër të deputetëve, të cilët megjithatë mbajtën seancën në rrethana të tjera.

Ndërkohë që shqetësimet e ambasadorit amerikan nuk përfunduan vetëm me hedhjen e gazit lotsjellës. Për të ishte e pakuptueshme edhe pjesëmarrja në seancë e dy deputetëve, të cilët janë në arrest shtëpiak, Fisnik Ismaili e Faton Topalli, shkruan sot gazeta “Zeri”.

Jo më pak i trishtuar ka mbetur ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruairi O’Connell. Ai ka thënë se përpjekja e opozitës për të imponuar me forcë vullnetin politik vetëm sa ia vështirëson punët Kosovës.

“Unë jam i trishtuar nga dhuna e vazhdueshme në Kuvendin e Kosovës. Kosova ka shumë sfida. Dhuna e vazhdueshme ndaj institucioneve dhe përpjekjet për të imponuar vullnetin politik me forcë nuk i zgjidh problemet e Kosovës. Krijon thjesht më shumë”, ka thënë O’Connell.

Ai ka shtuar se këto veprime janë jodemokratike dhe e dëmtojnë Kosovën shumë. Ndërkohë që ka përmendur dialogun si mundësi për të dalë nga kjo krizë politike. “Përdorimi i dhunës për qëllime politike qëndron kundër çdo kuptimi të demokracisë. Ai dëmton Kosovën. Unë i mbështes përpjekjet e vazhdueshme për të zgjidhur këtë bllokadë përmes dialogut. Unë shpresoj dhe pres që autoritetet e Kosovës do të sigurojnë se procesi ligjor dhe të drejtat e njeriut respektohen. Unë shpresoj se të gjitha palët do të respektojnë demokracinë, që Kosova ka punuar aq shumë për ta ndërtuar”, ka thënë O’Connell.

Etiketa: , ,