Në grevë urie tash 18 ditë, pa përkujdesje mjekësore


E martë, 18 Qershor 2013

Avokati i Popullit, Sami Kurteshi, ka përcjellë në vazhdimësi rrjedhën e grevës, e cila po mbahet në ambient të hapur në Prishtinë, që nga data 31 maj 2013. Bazuar në kohëzgjatjen e grevës së urisë, e cila ka hyrë tashmë në ditën e tetëmbëdhjetë, i shqetësuar për shëndetin e grevistëve, ai sot ka vizituar ata në vendin ku po mbahet greva.

Ai është interesuar për gjendjen shëndetësore të grevistëve dhe i ka lutur ata që të shqyrtojnë mundësinë e ndërprerjes së grevës, bëhet me dije përmes një komunikate nga ky institucion. Edhe pse deklarimi i tyre ishte se ndjehen mirë me shëndet, nga pamja e jashtme e tyre mund të konstatohet se ka shenja të lodhjes dhe dehidratimit. Kjo gjendje rëndohet edhe më shumë me rritjen e temperaturave.

Avokati i Popullit është i shqetësuar se deri më tani institucionet e shëndetit publik nuk kanë ofruar përkujdesin e domosdoshëm dhe të obligueshëm shëndetësor në të tilla raste, përfshirë edhe informacionin e domosdoshëm për pasojat në shëndetin e pjesëmarrësve të grevës së urisë dhe mënyrës se si po zhvillohet ajo.

Avokati i Popullit rekomandon që Ministria e Shëndetësisë (MSH), respektivisht Qendra Klinike Universitare, ose stacioni më i afërt shëndetësor publik, të ofrojnë kujdesin dhe mbikëqyrjen e obligueshme shëndetësore të paraparë në të tilla raste, në mënyrë që të ruhet jeta dhe shëndeti i grevistëve.

Një grup qytetarësh nga hapësirat kombëtare kanë hyrë në grevë urie, duke protestuar kështu kundër arrestimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së.

Etiketa: , ,