Prizren: U arrestua polici që shantazhonte femrat


E enjte, 9 Janar 2014

Përmes prezantimit të “rremë” si shef policor i stacionit në Prizren, shantazhoi duke shfrytëzuar seksualisht disa femra, ndërsa ra në kurthin e policisë përderisa përmes rrjetit social “Facebook” kërcënoi njërën nga viktimat, të cilën e kishte “friends”, por i kërkoi para për ta lënë të qetë nga policia, me arsyetimin se kishte informacione që viktima do të arrestohej për shkak të ndërlidhjes në vepra të kundërligjshme.

Rastin e konfirmoi zyrtari për media pranë policisë në Prizren, Hazir Berisha, i cili tha se mëngjesin e sotëm në Qendrën e Drejtorisë rajonale të policisë, një viktimë 20 vjeçare ka njoftuar për kërcënimin e saj përmes rrjetit social nga i dyshuari.Drejtori i policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi, tha për “Zërin” se ekziston dyshimi se ky person përmes shantazhit t’i ketë shfrytëzuar seksualisht disa viktima, të cilat madje i kishte detyruar që edhe t’ia paguanin motelet, pas kryerjes së veprës.

“Duke u prezantuar si shef policie në Prizren, i dyshuari i kërcënonte viktimat femra duke u thënë se kishte informacione se ato po merreshin me vepra të kundërligjshme, përfshirë drogën, armët dhe veprat tjera, ndërsa për t’i heshtur rastet dyshohet t’i ketë kushtëzuar”, tha ai, raporton “Zëri”.

Sipas nënkolonelit Krasniqi, i dyshuari së fundmi ishte paraqitur si udhëheqës civil i njësisë speciale të policisë në Prizren, ndërsa atij i janë gjetur edhe foto të cilat mendohet të jenë të viktimave, numri i të cilave dyshohet të jetë mbi dhjetë.Viktima, që zbuloi këtë të dyshuar, ka deklaruar në polici se me të dyshuarin, që ishte prezantuar me emrin Bardh Kastrati, ishte njohur përmes “Facebookut” muaj më parë.

Vajza, që lajmëroi policinë, ishte kërcënuar përmes “Facebook-ut” dhe telefonit, ndërsa i dyshuari i ka kërkuar një shumë të hollash në mënyrë që ta linte të qetë, ndryshe ai do ta arrestonte në cilësinë e policit.Zëdhënësi Berisha, me arsyetim të ruajtjes së hetimeve, nuk bëri të ditur identitetin e viktimës e as të personit të dyshimtë, që tashmë ndodhet në duart e policisë.Sipas njoftimit zyrtar, i dyshuari është arrestuar në momentin kur viktima kishte caktuar një takim me të dyshuarin, për t’ia dorëzuar atij shumën e parave të kërkuara, ndërsa policia kishte intervenuar menjëherë posa ai mori një shumë të vogël të parave nga viktima.

Hetuesit policorë bënë arrestimin e të dyshuarit në vepër, pas një plani operativ të përgatitur paraprakisht.Jozyrtarisht nga burime policore, “Zëri” ka arritur t’i sigurojë inicialet e personit të dyshuar, M.K nga fshati Radostë e Rahovecit, ndërsa viktima është nga një fshat i Gjakovës.Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, tha se ndaj të dyshuarit tashmë janë hapur hetimet dhe pritet caktimi i paraburgimit, ndërkohë që po zhvillohen hetime të tjera për zbardhjen e këtij rasti.Kjo ndërkaq nuk është hera e parë që policia rajonale në Prizren arreston persona për shkak të shantazhit, por kryesisht përmes telefonit.