Nën masa të rrepta sigurie Merkel viziton Greqinë


E premte, 11 Prill 2014

Ditën e sotme kancelarja gjermane, Angela Merkel, do të mbrijo në Athinë. Programi i Kancelares fillon në ora 15:15, kur së bashku me kryeministrin grek Samaras janë ftuar të marrin pjesë në forumin e sipërmarrësve të rinj, që aktivizohen në fusha inovatore, ndërsa më pas do të takojë përfaqësues të bizneseve të vogla e të mesme.

Në 17:30 Merkel do të ketë një takim zyrtar me kryeministrin Samaras dhe më pas do të kenë një konferencë shtypi të përbashkët për mediat greke dhe të huaja.

Qeveria e Athinës e vlerëson vizitën e Merkel një votëbesim në perspektivat e ekonomisë greke, ku Greqia pa dy ditsh doli me sukses në tregjet ndërkombëtare. Sipas shtypit, Merkel do të theksojë përpjekjet e qeverisë dhe sakrificat e popullit grek si dhe do të nxjerrë në pah nevojën për reforma të mëtejshme për të vazhduar kursin e rritjes së ekonomisë së vendit.

Vizita e Merkel zhvillohet një ditë pas sulmit terrorist me eksploziv në qendër të kryeqytetit grek, ndaj policia ka marrë masa të rrepta sigurie dhe nuk do të lejojë asnjë lloj proteste apo manifestim në sheshe./shekulli/

Etiketa: , ,