Nga Rugova intelektual në një police gjysmë analfebete


E shtunë, 6 Shkurt 2016
Nexhmedin Spahiu

Nexhmedin Spahiu

Në Kuvendin e vitit të kaluar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas zgjedhjeve jodemokratike, kur Isa Mustafa u zgjodh në krye të saj, njëri nga themeluesit e partisë prof.dr. Rexhep Gjergji tha: “Si kemi rënë nga Ibrahim Rugova në Isa Mustafën, nga Fehmi Agani në Ismet Beqirin. A mund të bëhemi edhe më keq?”

Agani është vrarë nga policia serbe gjatë luftës, ndërsa Rugovën nuk e di se kush e ka helmuar me polonium, ashtu siç dyshohet (pas dështimit të dy tentim vrasjeve), apo vdiq nga kanceri i mushkërive, ashtu siç u tha edhe zyrtarisht”.

Shkrimtari Sabri Hamiti, gjithashtu njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës, pati pyetur “Kah po shkon Kosova?. Presidenti i tij i parë, Rugova ishte ndër intelektualët më të mëdhenj shqiptarë të kohës së tij. Pasardhësi i tij, Fatmir Sejdiu është profesor i mirënjohur dhe pastaj kemi pasur një biznesmen Behgjet Pacollin dhe tani për presidente kemi një police analfabete. Ku do ta kemi fundin?

Këto ditë, mediat në Kosovë kanë publikuar ditarin e gjimnazit “Sami Frashëri” ku Atifete Jahjaga e kishte përfunduar shkollën e mesme dhe ju mund t`i imagjinoni notat e saj – nga njëshi në njësh. Nuk është aspak për t`u habitur për një person e cila për pesë vjet të mandatit të saj si presidente nuk ka mësuar t`i lexojë si duhet në gjuhën amtare asnjë nga fjalimet e saj .

Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, dëshmoi më së miri se si po ndryshojnë gjërat. 17 vjet më parë, gjersa avionët dhe raketat amerikane bombarduan Beogradin për shkak të Kosovës, sipas kujtimeve të shumë zyrtarëve relevant botëror, një rol të madh ka luajtur urtësia e Ibrahim Rugovës. Tani situata është e kundërt. John Kerry tha në Beograd se Vuçiq po krijon një Serbi të re, e cila është lëvdatë e madhe, nga cilado pikëpamje që shikohet, ndërkaq në Prishtinë ai iu tha Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit “Ju duhet të luftoni kundër korrupsionit. Amerika ka investuar shumë për pavarësinë e Kosovës dhe nuk do të lejojë që të shkelet sovraniteti i saj”.”Kjo, përkthyer nga gjuha diplomatike në gjuhë vulgare do të thotë: pihhh, çfarë hajna jeni ju, e keni shkatërruar vendin.

Ambasada italiane kohët e fundit ka shfaqur një film në lidhje me prokurorin dhe heroin italian Giovanni Falcone në të cilin flitet për atë se si patriotët italian, prokurorë dhe gjyqtarë u sakrifikuan në luftën kundër mafias. Mysafirë të ambasadorit italian ishin shumë zyrtarë të Kosovës dhe shumica e trupit diplomatik në Prishtinë. Njëri nga ambasadorët pyeti nëse ndonjë nga prokurorët apo gjyqtarët kosovarë u vra gjatë luftës kundër krimit? Përgjigja ishte negative. Kjo do të thotë se gjyqësori në Kosovë gjuan vetëm peshq të vegjël, EULEX-i ata të mesmit, kurse të mëdhenjt ndoshta do të kapen nga Gjykata Speciale.Një nga veteranët e luftës, i pakënaqur me atë që ka ndodhur pas luftës, tha se NATO-ja na ka çliruar nga Serbia për 77 ditë, po nuk mund të na çlirojë nga kriminelët tanë qe 17 vjet.

Megjithatë, nuk është e vërtetë se askush në Kosovë nuk është duke u përpjekur që ta çlirojë shoqërinë kosovare. Nëse Kosova nuk ka viktima në mesin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (që është dëshmi se ata janë të privuar nga patriotizmi dhe profesionalizmi), por në mesin e gazetarëve ka profesionistë dhe patriotë. Tre persona kanë vdekur dhe qindra të tjerë janë rrahur për shkak të punës që bëjnë.

Procesi më i dëmshëm në Kosovë është ai i privatizimit, i cili filloi në kohën e UNMIK-ut, dhe nuk u ndal edhe pas shpalljes së Pavarësisë. Mendësia e shoqërisë kosovare nuk ishte e gatshme për privatizim, në kohën kur nisi ky proces.

Mënyra se si u interpretua procesi në fjalë ishte krejtësisht shkatërrues për financat e Kosovës. Procesi i privatizimit gjoja se ka nisur për uljen e korrupsionit, por ndodhi e kundërta – privatizimi i parakohshëm vetëm se e ka minuar korrupsionin.

Me këto probleme të brendshme shoqëria kosovare e ka të vështirë që të përballet me gjithë mbështetjen e fuqishme të fuqive perëndimore. Por arrin ta bëj një gjë të tillë vetëm në sport e kulturë. Flamuri kombëtar i Kosovës u ngrit në nivelin më të lartë kur Majlinda Kelmendi u shpall kampione bote në xhudo, dhe filmi “Shok” arriti që të jetë në mesin e pesë filmave të nominuar për çmimin Oskar për këtë vit.

Përderisa Kosova ka marrëdhënie mjaft të mira me Malin e Zi dhe Maqedoninë, kryesisht falë politikës së tyre të jashtme të mençur, ka probleme me fqinjët e saj më të rëndësishëm: Serbinë dhe Shqipërinë. Me Serbinë për shkak se Beogradi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Marrëdhëniet me Shqipërinë janë vetëm në dukje të mira, por në fakt ka shumë çështje tregtare dhe kulturore, në mesin e të cilave është edhe aspirata e disa forcave politike në Kosovë që nga Shqipëria të uzurpojnë simbolet kombëtare të tilla sikurse është lëvizja e Albin Kurtit dhe të tjerëve.


*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.