Nis procesi i votimit, kryetarja e KQZ apelon që të votohet


E diel, 21 Qershor 2015

Në orën 7:00 janë hapur qendrat e votimit në të gjithë vendin dhe ka nisur zyrtarisht procesi i votimit.

3.3 milionë zgjedhës do ti drejtohen kutive të votimit sot në të gjithë vendin për të zgjedhur 61 kryetarët e ardhshëm të bashkive.

Kryetarja e KQZ, Lefterie Luzi votoi në ZAZ numër 35 të vendosur tek Akademia e Arteve në Tiranë. Luzi ka qenë qytetarja e parë që ka votuar në këtë qendër votimi.

Fill pas hedhjes së votës së saj në kutinë e votimit, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefteri Luzi iu drejtua qytetarëve me një mesazh, ku iu bëri thirrje të gjithë shqiptarëve, që të votojnë.

Gjatë një deklarate para mediave, Luzi theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve. Kryetarja e KQZ kishte ardhur për të votuar së bashku me djalin e saj i cili voton për herë të parë.
“Doja t’ju bëja thirrje sot qytetarëve shqiptarë të shkojnë pranë qendrave të votimit, të votojnë sepse sikurse e dimë të tërë, këto zgjedhje janë testi i radhës për të ardhmen e Shqipëris ë. Gjithashtu doja t’ju bëja thirrje edhe grave të cilat duhet të jenë sot pjesë e procesit të votimit edhe për një arsye më shumë, për shkak se përfaqësimi i tyre në këshillat bashkiakë do të jetë 50 për qind. Gjithashtu doja t’ju bëja thirrje edhe votuesve për herë të parë të cilët këtë radhë do të jenë pjesë e procesit të votimit, pjesë e së ardhmes së Shqipërisë; kështu që vota e tyre do të jetë e rëndësishme shumë për të ardhmen e Shqipërisë. Ju uroj të gjithëve një ditë të bukur dhe të mbarë dhe le ta përmbyllim me sukses të gjithë procesin sot, ashtu sikurse shqiptarët e kanë bërë gjithmonë me qytetari, ju ftoj të gjithëve të votoni”, tha Lefterie Luzi.

Mësohet se në total janë prodhuar 6.876.366 fletë votimi, ku 3.437.683 janë fletë votime për kryetarët e bashkive, ndërsa 3.438.683 të tjera janë për anëtarët e këshillave bashkiakë. Në zgjedhjet e këtij viti janë mbi 1 43 mijë të rinj që do të votojnë për herë të parë.

Votimi është hapur në orën 7:00 dhe mbyllet në orën 19:00. Askush nuk mund të votojë pas orës së mbylljes së qendrave të votimit, me përjashtim të zgjedhësve që presin për të votuar në kohën e mbylljes, sipas procedurave të parashikuara në Kodin Zgjedhor.

I gjithë procesi do të monitorohet nga rreth 3 mijë vëzhgues, 274 prej të cilëve janë përfaqësues të ODIHR-it. Për ruajtjen e rendit dhe sigurisë e për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor janë angazhuar 6699 forca policore.

Deri më tani raportohet për dy problematika të vogla në rrethe. Konkretisht dy qendra votimi në Korçë janë të bllokuara. Bëhet fjalët për QV 3648 dhe 3648/1. Sipas të dhënave shkak i bllokimit janë bërë posterat në këto qendra votimi.

Etiketa: , ,