E enjte, 10 Shtator 2015
Tiranë – “Kosova është shtet i pavarur dhe sovran dhe po jep një kontribut të qenësishëm në përmirësimin e klimës së bashkëpunimit rajonal dhe praktikat e respektimit të pakicave kombëtare në Kosovë, që duhet të merren si shembull nga të gjitha vendet e tjera të Ballkanit”, deklaroi sot në Tiranë, presidenti Bujar Nishani.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga, presidenti Nishani theksoi se “sot Kosova me gjithë sfidat e mëdha gëzon një status të ri, plotësisht të merituar në rajon edhe përmes të gjithë nismave dhe angazhimeve të saj në forumet rajonale dhe ndërkombëtare”.
“Statusi i ri i Kosovës e gjen edhe në dialogun e vendosur me Serbinë të dy shtetet janë në pozicione të barabarta”, nënvizoi Nishani duke shtuar se Shqipëria e ka mbështetur në vijimësi këtë proces dhe produktet e tij me pritshmërinë legjitime e të nevojshme që çdo marrëveshje e arritur të zbatohet me shpejtësi dhe plotësisht.
Kreu i Shtetit shprehu bindjen se zbatimi i angazhimeve të marra në kuadër të këtij dialogu do të shërbejë në normalizimin e marrëdhënieve të dy vendeve Kosovës e Serbisë, por njëkohësisht do të vazhdojë të çlirojë energji pozitive për gjithë rajonin.
“Kosova ka përpara sfida si çdo njëri prej vendeve të rajonit. Shqipëria e mirëpriti dhe mbështeti vendimin për themelimin e Gjykatës Speciale duke vlerësuar se marrja e këtij vendimi ishte i vështirë, por e duhura pasi vetëm kështu mund të hidhen poshtë të gjitha pretendimet e ngritura”, u shpreh Nishani, transmeton Koha.net.
Presidenti Nishani tha se asgjë dhe askush nuk e tjetërson dot luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit të Kosovës në përballje me agresionin dhe gjenocidin çnjerëzor Millosheviqian.
Edhe presidentja Jahjaga në fjalën e saj tha se Kosova dhe Shqipëria janë dy shtete të pavarura, sovrane dhe se kanë bërë hapa të rëndësishme para drejt zhvillimit, dhe drejt rrugës së integrimit në BE.
Ajo shtoi se “Duam të kemi marrëdhënie të mira me fqinjët tanët, dhe po punojmë për një të ardhme më të mirë të vendeve tona dhe për qytetarët tanë”.
Dy homologët biseduan edhe për një treg të përbashkët ekonomik, pa barriera politike, të qëndrueshëm dhe të konkurrueshëm edhe brenda tregut evropian.