Nuk do të ketë probleme financiare në UP


E mërkurë, 6 Gusht 2014

20140806194217446620

Vendimi i Qeverisë për uljen e tarifave për regjistrimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës, nisi të nxjerrë dyshime rreth një krize të mundshme të këtij institucioni.

E pas publikimeve të fundit në disa media në Kosovë se Universiteti Publik “Hasan Prishtina” do të përfshihet nga kriza financiare, sot për këtë janë mbledhur ministri i Financave, Besim Beqaj, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, dhe u.d. i rektorit të Universitetit Publik “Hasan Prishtina”, ku kanë diskutuar lidhur me gjendjen buxhetore të UP-së.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Ministria e Financave, pas këtij takimi kanë vlerësuar dhe kanë njoftuar opinionin publik, studentët, por edhe stafin e Universitetit, se nuk do të ketë probleme financiare dhe në asnjë mënyrë nuk do të cenohen pagat e profesorëve universitarë dhe shpenzimet kapitale siç janë të planifikuara në buxhetin e Republikës së Kosovës.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për uljen e tarifave për regjistrim të studentëve për 50 për qind, si dhe për të gjithë ata që do të regjistrohen ketë vit, ku regjistrimi do të ju mundësohet falas, është vendim i mirëpritur nga të gjithë studentët. Dëshirojmë të theksojmë se ky vendim nuk do të ndikojë aspak në funksionalitetin e Universitetit të Prishtinës, pasi që Qeveria e Kosovës do të ndërmerr të gjitha masat e nevojshme konform kapaciteteve buxhetore”, thuhet në njoftimin e përbashkët të MASHT, MF dhe UP.

Sipas njoftimit, MAShT është në koordinim të plotë me Ministrinë e Financave dhe Rektoratin e UP-së, për të menaxhuar situatën, e cila sipas tyre do të ndikojë pozitivisht në mirëqenien e studentëve dhe familjeve të tyre.