E enjte, 2 Qershor 2016
Tiranë – Do të grumbulloj ata lojtarë që janë më mirë fizikisht dhe që mbushin grupin”. Kjo ishte fjalia që u mburr dy javë më parë, kur zbuloi listën e 27 futbollistëve. Por si zakonisht zgjedhjet nuk i bëri sipas asaj që premtoi. “Përrallat” e Xhani De Biazit, mashtrimet e tij për përzgjedhjet për në Francë nuk kanë fund. Një luftë mediatike ka nisur mes trajnerit shqiptaro-italian dhe medias. De Biazi ishte para shtypit për të argumentuar “live”, zgjedhjet e tij për në Francë, por ka dështuar totalisht, sepse nuk tha asgjë. Madje ka prishur edhe konferencën për shtyp, pasi e ka braktisur atë në mes, pas pyetjeve të shumta të të vetmit gazetar në konferencë. “Zgjedhjet që kam bërë janë ekskluzivitet i imi.
Kemi arritur deri këtu falë zgjedhjeve që kam bërë në të kaluarën. U tregova i drejtpërdrejtë me lojtarët. Ata duhet ta pranonin vendimin pasi që në fillim e dinin që 4 lojtarë do të largoheshin. Vendimi është marrë në bazë të punës që kemi zhvilluar gjatë kësaj faze në Austri, ndërsa është marrë parasysh aspekti teknik, si dhe fizik dhe më pas kam vendosur për lojtarët që janë më të gatshëm për ekipin”, u shpreh De Biazi.
I pyetur veçanërisht për lënien jashtë listës të Gjimshitit dhe Rashicës, De Biazi dha arsyet e largimit të tyre nga grupi, arsye që gjithsesi nuk janë me bazë. “Gjimshiti nuk ka luajtur thuajse prej një viti. Rashica ka luajtur shumë minuta këtë sezon me ekipin e Viteshes. Ai është një talent i madh, por ai nuk ka qenë pjesë e Shqipërisë në fazën eliminatore, ka luajtur pak minuta me Luksemburgun dhe Katarin. Ai është pjesë e së ardhmes”, u shpreh De Biazi. Ja intervista e plotë me të:
-Mister katër futbollistë lanë kombëtaren.
Ishte shumë e vështirë, një vendim i vuajtur dhe i trishtë, për të cilin kemi bërë disa vlerësime të thella dhe jo sipërfaqësore. Lojtarëve ua komunikova në rrugën më normale dhe natyrale, gjërat duhen thënë si janë dhe pa komplekse në mënyrë të drejtpërdrejtë. Me sinqeritet dhe pa fjalë të tepërta për t’i thënë arsyet pse nuk erdhën në Francë.
-Lojtarëve që iu dhatë vendimin, po parimin mbi të cilin ke bërë zgjedhjen?
Ju shpjegova futbollistëve arsyet dhe se çfarë më shtyu t’i çoja në shtëpi. As ata nuk e dinin që do të iknin, gjithçka erdhi në bazë së atyre që kanë bërë këtu dhe në bazë të bindjeve të mia se kush është më i dobishëm në Francë.
-Si reaguan lojtarët?
Ata do ta pranonin një vendim të tillë, sepse vendimet merren nga trajneri. Ishin të mërzitur, natyrisht. Këto vendime janë bërë në bazë të punës së këtyre ditëve dhe bindjeve të mia. Nuk jemi këtu për të hyrë në emra të përveçëm. Janë zgjedhje të bëra në aspektin fizik dhe teknik. Unë mendoj se në listën prej 23 emrash janë lojtarët më të mirë, që mund ta përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në Europian.
-Mund të na jepni një argumentim më të thellë për secilin?
Nuk duhet të hyjmë në emra të përveçëm. Zgjedhjet janë të motivuara për arsye teknike dhe fizike. Mora ata që mendoj se janë më të mirët dhe më të gatshëm për të ndihmuar skuadrën në Europian. Ju kisha thënë lojtarëve që jemi 27 por në fund do mbeten 23.
-Megjithatë për përjashtimin e Berat Gjimshitit ka një motiv?
Gjimshiti ka një vit që nuk luan…
-Pse latë jashtë Rashicën?
Rashica nuk ka luajtur shumë me ne, kam besim te ai, por në të ardhmen do të jetë pjesë e kombëtares. Me ne luajti 25 minuta me Luksemburgun dhe një pjesë me Katarin.
-Shala dhe Rrahmani….
Nuk mund t’u them atë që ju thashë atyre personalisht. Duhet të bëjmë tjetër diskutim. Jam unë që bëj zgjedhjet, a mund ti bëj? Janë këto që na sollën deri këtu. Nëse dëshironi të bëni me sondazhe atëherë do të shohim ku do të shkoni. Ja kam shpjeguar lojtarëve arsyet dhe jo juve.
-A ka standard të dyfishtë në zgjedhjet e trajnerit të kombëtares?
Këto janë zgjedhje që i kam bërë unë. Nëse do të ishit ju, gazetarët, do të zgjidhnit ndryshe, ndoshta. Eshtë e drejta ime të zgjedh në këtë rast, besoj.
-Si e shikoni ndeshjen me Ukrainën?
Ukraina ka karakteristikat e veta, nuk dua të heq paralele mes saj dhe tre rivalëve tanë në grup. Kuptohet, nuk është e njëjta gjë si në ndeshje zyrtare. Për ne është e rëndësishme të japim gjithçka në fushën e lojës. Pres që ekipi të zbatojë detyrat që do të japim si staf teknik, të jetë shumë i kujdesshëm në goditjet standarde.
Sa u përket kundërshtarëve, me të cilët do të ndeshemi në Francë, i kemi parë në çdo moment që kanë luajtur, jo vetëm në miqësoret e fundit. Tani për tani jemi të përqendruar vetëm tek Ukraina. Ne i marrim ndeshjet njëra pas tjetrës. Nëse do të ketë shumë shqiptarë në Bergamo, do të jetë kënaqësi e madhe. Tifozët e shtyjnë përpara, drejt suksesit, kombëtaren.