Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

“O sa mirë me qenë shqiptar (kuku) o hej”

Prizren Post | 20:15 - 12.09.2014

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
Milazim KRASNIQI

Pan(o) shqiptar

“O sa mirë me qenë shqiptar (kuku) o hej”

Fitorja e parë historike në futboll ndodhi në kohën kur është në fuqi bllokada e plotë e institucioneve. Ndonëse goli u dha nga penalltia dhe pa e respektuar Marrëveshjen e Parimeve, ai gol na bëri krenarë më shumë se sa vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Slogani i famshëm i tifozëve kuq e zi, “O sa mirë me qenë shqiptar, o hej”, tashmë ka dalë nga stadiumet dhe ka përfshirë gjithë jetën tonë shqiptare. Fjala vjen, nuk ka më mirë se sa me qenë shqiptarë në Maqedoni, ku deputetët shqiptarë, për inat të deputetëve maqedonas, rrihen mes vete. Nga patriotizmi i madh që kanë, ata nuk lejojnë që ndaj tyre të ngrenë dorë deputetët maqedonas. Më me qejf e kryejnë vetë atë akt të madh atdhedashurie. Një fjalë e urtë shqipe thotë se kurrkush nuk të kruan më mirë se dora jote. Mjafton që kjo fjalë e urtë të përshtatet kështu: “Kurkush nuk të rrahë më mirë se sa dora jote!” Prandaj, në asnjë rast nuk duhet të lejojmë që dora e tjetrit të na i rrahë deputetët tanë në parlamentin maqedonas, kur mundemi vetë ta kryejnë këtë punë.

Nuk ka më mirë se sa me qenë shqiptarë këto ditë edhe në Gjirokastër, në dasmën e ministrit të çështjeve sociale (pra të fukarave) ku shkëlqimi dhe luksi i afrohet shkëlqimit dhe luksit të Hollivudit. Të gjithë fukaratë shqiptarë duhet të mburren e të ndihen mirë me shijen e ministrit të tyre, i cili në aspektin e harxhimeve për dasmë, me siguri ia ka kaluar Bill Gejtsit. Po kaq mirë është me qenë shqiptar edhe në Pezë, në episodin e dytë të dasmës (natyrisht me të njëjtën nuse) të ministrit të fukarave shqiptarë, si prelud për festimet partizane, që e mbajnë të gjallë zjarrin revolucionar në shpirtërat e jo pak shqiptarëve. Ish shoku Ramiz pati thënë se edhe bar do të hamë e nuk do të shkëputemi nga fryma revolucionare dhe nga diktatura e proletariatit, si pasqyrimi besnik i saj.

Po kaq mirë e bukur është me qenë shqiptarë në Kosovën kreshnike, ku partitë politike bëjnë luftë të madhe për të mirën e vendit, duke bllokuar me muaj të tërë konstituimin e parlamentit dhe zgjedhjen e qeverisë së re. I gjithë ky bllokim është në të mirën e vendit tonë, sepse më mirë po jetohet pa parlament e pa qeveri, se sa me to. Po qe se qeveria do të ishte efikase, do të duhej të paguheshin tatimet, taksat, të zbatoheshin ligjet, gjë që do ta ngushtonte lirinë e qytetarëve. Nga ana tjetër, duke u mbajtur e bllokuar nga partitë e veta, Kosova po dëshmon se është aktive në arenën ndërkombëtare. Fitorja e parë historike në futboll (kundër Omanit) ndodhi në kohën kur është në fuqi bllokada e plotë e institucioneve. Ndonëse goli u dha nga penalltia dhe pa e respektuar Marrëveshjen e Parimeve, ai gol na bëri krenarë më shumë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Të pakënaqur mbetën vetëm dy grupe njerëzish në vend: ata që duan ta ribashkojnë Kosovën me Serbinë dhe ata që duan gjasme ta bashkojnë me Shqipërinë, ndërsa në fakt edhe ata punojnë që ta ribashkojnë me Serbinë, me ndihmën e listës “Sërpska”.

Me qenë shqiptarë është mirë këto ditë edhe për shkak të vizitës së kryeministrit të Shqipërisë në Kinë. Nga kjo vizitë do të forcohet vëllazëria shqiptaro-kineze, për ç’gjë do të gëzoheshin edhe në varr, po ta merrnin vesh, shokët Enver Hoxha, Mehmet Sheku, Hysni Kapo e kompania e tyre e Pezës. Shqipëria sërish po bëhet fanar i botës, meqë kryeminstri i saj, nga Samiti i Vellsit shkoi menjëherë në Kinë. Në Kinë, bashkë me Edi Ramën, po qëndron edhe një zyrtar i lartë i medieve të Kosovës, gjë që dëshmon se Kina de facto e ka njohur realitetin e ri medial të Kosovës. Kjo gjë që s’ka si të mos na bëjë krenarë si shqiptarë dhe si “kosovarë”.
Krenaria jonë po rritet çdo ditë edhe me luftën tregëtare ndërmjet dy shteteve tona shqiptare, herë për patate e herë për ilaçe. Me rëndësi është që ka një dinamikë, ka një zhvillim që tregon gjallërinë tonë si komb unik. Natyrisht piktori Maks Velo, është krenar dhe i kënaqur me këtë luftë tregëtare që po zhvillohet. Nuk ka problem që ai thotë se i urren veriorët e muslimanët, meqë edhe këtë ai e bën nga krenaria kombëtare.

Me qenë shqiptarë, në kohën kur disa nga mediet “shqipofone” e kryejnë punën e prokurorëve, është krenari dhe kënaqësi. Këto medie nuk e bëjnë këtë punë për ta rrënuar etikën e profesionit, por nga atdhedashuria. Ato i gjejnë tradhtarët para policisë e para prokurorisë, prandaj në shtetin tonë tash e tutje nuk ka nevojë për polici, për prokurorë e as për gjyqtarë. Pse të paguhen gjithë ata njerëz për një punë që fare mirë e bëjnë mediet “shqipofone.”
Me të vërtetë, kemi pse të jemi krenarë, veçmas këto ditë, ne si shqiptarë. Prandaj edhe duhet të brohorasim, deri sa të pëlcasim: “Na rrofshin politikantë tanë!” “Na rrofshin mediet tona!” Kuku, o hej!

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Arivisti Company