Opozita feston kot, Kushtetuta nuk e lejon këtë koalicion


E mërkurë, 11 Qershor 2014

Njohësi i çështjeve kushtetuese, Arsim Bajrami ka thënë se marrëveshja e arritur në mes LDK-së, AAK-së dhe Nismës për Kosovën është anti-kushtetuese. Sipas tij Kushtetuta e përcakton që mundësinë për fomimin e qeverisë së re e ka vetëm partia që ka dalë e para në zgjedhje parlamentare.

“Është marrëveshje anti-kushtetuese dhe joinstitucionale sepse nuk ka bazë në Kushtetutën e Kosovës,për shkak se neni 95 në mënyrë shumë të kjartë e përcakton që mandatin për ta formuar qeverinë e ka partia politike apo koalicioni parazgjedhor që ka shumicën e ulëseve në parlament dhe kjo është shumë e kjartë dhe vetëm nëse brenda 15 dite nuk arrihet të formohet qeveria nga mandatari i parë atëherë ka një afat shtesë prej dhjetë ditëve, por përsëri presidentja do ta nominoj kandidatin për kryeministër nga mazhoranca, kështu që kjo marrëveshje është anti-kushtetuese. Sipas nenit 95 pika 4 thotë se kemi procedurë të njejt, pra nominohet kandidati i dytë nga mazhoranca”, ka thënë për “Zërin”, Arsim Bajrami.

Neni 95 [Zgjedhja e Qeverisë]

1. Pas zgjedhjeve, Presidenti i Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit kandidatin për
Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e
nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë.

2. Kandidati për Kryeministër, jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë pas emërimit, paraqet
përbërjen e Qeverisë para Kuvendit të Kosovës dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit.

3. Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të
Kuvendit të Kosovës.

4. Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk merr shumicën e votave të nevojshme, Presidenti i
Republikës së Kosovës, brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës
procedurë. Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë Presidenti i Kosovës i shpall
zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre.

5. Nëse Kryeministri jep dorëheqjen ose për arsye të tjera, posti i tij/saj mbetet i lirë, Qeveria
bie, dhe Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me partitë politike ose koalicionin
që ka fituar shumicën në Kuvend, mandaton kandidatin e ri, për të formuar Qeverinë./zeri/