Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Pa kërkuar falje Serbia, nuk ka pajtim

Prizren Post | 22:27 - 01.09.2015

Hashim Thaçi, ministër i Punëve të Jashtme të Kosovës, ka deklaruar se fakti që Kosova dhe Serbia po nënshkruajnë marrëveshje së bashku dhe se kanë filluar një proces normalizimi, kjo nuk nënkuptohet edhe si pajtim i plotë mes dy popujve.

“Ne po takohemi, po bisedojmë, por kjo nuk nënkupton se normalizimi do të thotë edhe pajtim automatike, sepse kjo nuk është diçka teknike e thatë, por shumë e ndjeshme”, ka deklaruar Thaçi në emisionin Zona B, të Klan Kosova.

“Normalizimi mes Serbisë dhe shqiptarëve kalon përmes Prishtinës. Pa normalizim në mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka normalizim mes serbëve dhe shqiptarëve”, tha ai.

Thaçi ka përmendur krimet e luftës të bëra nga shteti i Serbisë dhe ka deklaruar se pa kërkimfaljen e shtetit serb, është e pamundur të arrihet pajtimi.

“Fillimisht duhet të ndodhë pendesa për represion, për largimin e shqiptarëve, për vrasjen e 20 mijë njerëzve, mbi 20 mijë dhunime, për gjitha masakrat, duhet të ndodh pendesa nga shteti i Serbisë, pastaj mund të flasim për një pajtim, mes Kosovës, Serbisë dhe shqiptarëve”.

I pyetur për koalicionin me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Thaçi siguroi se gjithçka është në suaza të bashkëpunimit normal.

“Koalicioni nuk ka çarje, ka funksionim normal, shpresa opozitare është çarja,ajo mbetet në mentalitetin opozitare”.


Arivisti Company