E hënë, 4 Janar 2016
Prishtinë – Janë dëgjuar shpeshherë deklarata të zyrtarëve institucionalë se shëndetësia do të jetë prioritet, veçanërisht gjatë vitit të kaluar.
Madje, ministri i këtij dikasteri, Imet Rrahmani, tha se shefi i tij, Isa Mustafa, e ka ndër 5 prioritetet zhvillimin e sektorit që ai e drejton, raporton KTV.
Por, klinikat në qendrën më të madhe në vend vazhdojnë të mos i plotësojnë shumë prej nevojave elementare.
Shtretërit e vjetruar janë zgjidhja e detyruar për pacientët që kanë nevojë të kalojnë ditët, derisa marrin shërbime spitalore.
Më së keqi është gjendja e dyshekëve, të cilët nuk ndërrohen e as nuk pastrohen deri sa të vijë koha që ata të asgjësohen në tërësi.
Pacientët tregojnë se u duhet të marrin nga shtëpia batanijet e çarçafët.
Disa prej tyre tregojnë se u kërkohet që mbulesat që sjellin nga shtëpia të jenë të bardha e kjo, sipas zyrtarëve, për shkak se simbolizon pastërti e paqe.
Shitësit ambulantë te hyrja janë ata që në këtë situatë edhe përfitojnë në rastet kur qytetarët nuk kanë zgjidhje tjetër.
Zyrtarët tregojnë se nga donatorët do të varen edhe për ndërrimin e makinave të lavatores, pasi ato aktualet janë të vjetra dhe shpeshherë i grisin ndërresat.