E hënë, 11 Prill 2016
Presidenti i AKR’së, Behgjet Pacolli insiston të tregojë se po punon shumë për të rritur partinë.
Pacolli në llogarinë e tij në Facebook ka bërë të ditur se synimin e ka që AKR të arrij 20 për qind në zgjedhjet e ardhshme. Pacolli ka bërë thirrje për bashkim, dhe ka bërë të ditur se Kosova është duke u fundosur.
Më poshtë lexoni postimin e plotë të Pacollit:
Të dashur miq, Tani jemi duke punuar intensivisht me AKR, që të fillojmë rrugën tonë drejt ndryshimit pozitiv të Kosovës. Por këtë dua ta bëj me ju, miqtë e mi të dashur. Ne, së bashku, mundemi.
Ne synojmë minimumi 20% në zgjedhjet e ardhshme, dhe jam i bindur që do t’ia dalim së bashku! Kjo nevojitet për të patur mundësinë e çuarjes së vendit drejt një perspektive dinjitoze.
Unë çdo ditë marr shumë mesazhe nga qytetarët e Kosovës, të cilët kanë dëshirë të bashkohen me ne.
Unë e kam thënë dhe e rithem se ai që vërtet është i pastër, e do Kosovën, e do punën dhe ia do të mirën fëmijës së vet, tani është koha për të reaguar.
Kosova po fundoset me shpresat tona. Kjo po ndodh para syve tanë, miq të dashur.
Nuk mundemi të rrimë indiferentë! Të punojmë së bashku!
Shumë shpejt do të lançojmë edhe formularin online, përmes të cilit do të bëheni pjesë e misionit tonë, për një Kosovë dinjitoze, të barabartë për të gjithë, për një Kosovë të zhvilluar ekonomikisht, për një Kosovë të dashur, për qytetarët e saj në radhë të parë.