Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Pacolli: Jemi parti e punës

Prizren Post | 17:49 - 13.10.2013

Kryetari i Aleancës Kosova e Re, Begjet Pacolli, ka kërkuar votën e qytetarëve të Mitrovicës, duke u premtuar atyre se për tre vjetët e ardhshëm Mitrovica do të jetë shembull edhe për Evropën, ndërsa kandidati i tij për kryetar të Mitrovicës, biznesmeni Agim Bahtiri, ka premtuar se në gjithë Kosovën do të hap 15 mijë vende pune, ndërsa vetëm në Mitrovicë 1500 vende të reja pune.
“Bota sot ka probleme me fuqinë punëtore, ndërsa ne do ta tërheqim këtë fuqi përmes zonës së lirë që do ta bëjmë në Mitrovicë”, tha ai.

Pacolli sqaroi se AKR-ja nuk është parti e luftës, apo parti historike, por parti e punës dhe e biznesit.

“Ne nuk jemi parti e luftës, parti historike, por ne jemi parti e punës dhe e biznesit. Pushtetarët që kemi vetëm dinë ta shesin pronën shtetërore dhe ta japin atë me koncesion, ndërsa ne për tre vjet do të jemi shembull edhe për Evropë. Për ta arritur këtë sukses na duhet vota e juaj”, tha ai.

Ndërsa ai që premton shumë vende pune në Mitrovicë, kandidati i AKR-së për kryetar të komunës, biznesmeni Agim Bahtiri, potencoi se ka ardhur në Mitrovicë për të investuar në vendlindjen e tij dhe për njëkohësisht për ta realizuar, siç tha ai “ëndrrën e tij jetësore”.

“Do ta lëvizi çdo gurë që t’i ndihmoj popullit tim të varfër. Do ta ngrisim dinjitetin e këtij popullit shumë të vuajtur, por për kët duhet të rrëzohet ky pushtet”, tha Bahtiri, i cili ripërsëriti se e ka në zemër Bajgoren, ku planifikon ta ndërtojë një fabrikë, e cila do të gjenerojë vende pune.

“Shaljanëve do t’ua hap një fabrikë në atë pjesë, ku do të kenë mundësi të punësohen 1.500 veta, ndërsa garantoi se premtimin e dhënë, se në Kosovës do të hap 15 mijë vend pune, do ta mbaj”, siguroi kandidati i AKR për kryetar të Mitrovicës, Agim Bahtiri. /Zëri/


Arivisti Company