E diel, 21 Maj 2017
Lideri i AKR’së, Behgjet Pacolli ka thënë se ishte interes i partisë së tij dhe Vetëvendosjes të mos kishin koalicion parazgjedhor. Por, ka thënë se do të bëhen bashkë pas zgjedhjeve nacionale.
Pacolli ka thënë se gjatë tre muajve të fundit është takuar shpesh me zyrtarët e Vetëvendosjes tek të cilët ka gjetur bashkëmendimtarë, miq e profesionistë mirëpo arsyeja pse nuk ka bërë koalicion parazgjedhor me VV-në ishte interes i përbashkët që do të do të zbulohet me kohë.
Sipas tij bëhet fjalë për një arsye të justifikuar dhe reale.
“Ne si AKR, jemi përpjekur deri në momentin e fundit dhe prapë mirëkuptohemi për bashkëpunim me miqtë e VV”, ka shkruar Pacolli në Fb.
Ai ka thënë se AKR dhe VV ka unifikuar programet tona qeverisëse për ta kthyer Kosovën në një vend dinjitoz, të udhëhequr nga një ekip që e do Shtetin dhe Qytetarin e saj, që punon për një Kosovë të begatshme e madhështore, të civilizuar e të dashur për qytetarët dhe rininë e saj.
Pacolli nuk ka treguar arsyen e vërtetë pse s’bëri koalicion me VV por ka thënë se kjo do të dihet më vonë.
Ndryshe, Pacolli dikur kishte armiq zyrtarët e Vetëvendosjes, të cilët e quanin njeri të Rusisë e pro serb.
Më së shumti akuza ndaj Pacollit nga Vetëvendosje kishte pasur kur ishte bërë President në koalicionin me PDK’në. Pacolli në atë kohë ishte rrëzuar nga një ankesë e LDK’së në Gjykatën Kushtetuese.
Pacolli së fundmi ka hyrë në koalicion parazgjedhor me LDK’në derisa Vetëvendosje shkon e vetme në zgjedhje me Albin Kurtin kandidat për Kryeministër.