Pavarësia e Katalonjës, 90 për qind e banorëve votojnë pro, qindra të plagosur


E hënë, 2 Tetor 2017

Përpjekjet e qeverisë spanjolle për të bllokuar një referendum rajonal mbi pavarësinë e Katalonias, kanë përfunduar në dhunë pasi policia mbylli vendvotime dhe konfiskoi kutitë e votimit, pavarësisht rezistencës nga votuesit në të gjithë rajonin.

Sipas zyrtarëve katalanas, më shumë se 761 njerëz janë duke u trajtuar për dëmtime të shkaktuara nga oficerët e policisë spanjolle në përleshjet që po intensifikohen.

Zëvendëskryeministrja spanjolle Soraya Saenz de Santamaria tha të djelën në Madrid, se “nuk është mbajtur referendum apo diçka që i ngjason një referendumi”. Ajo tha se heqja e lidhjeve të internetit të zyrës rajonale të regjistrimit nga policia ka neutralizuar çdo aftësi për të formuluar rezultatet e votimit.

Por zëdhënësit e qeverisë rajonale katalanase që kërkuan mbajtjen e votimit, thonë se 73 për qind e vendvotimeve janë të hapura dhe teknikët e tyre po përpiqen të rregullojnë linjat e prera të internetit.

Personi, duke folur për Zërin e Amerikës në kushte anonimiteti, thotë se votat do të numërohen fizikisht dhe rezultatet do të njoftohen nga një bord i posaçëm zgjedhor të formuar nga “ekspertë dhe akademikë”.

Ministri i Brendshëm spanjoll Juan Ignacio Zoido thotë se përpjekjet për të legjitimuar votimin e së dielës janë një “parodi”.

Dhuna shpërtheu herët të djelën kur policia e pengoi presidentin e qeverisë rajonale katalane, Carles Puigdemont, që të votonte në distriktin e tij të Geronës. Puigdemont u filmua më pas duke votuar në një vendvotim tjetër. Autoritetet katalanase u kërkuan votuesve të hedhin votat në çdo vendvotim të hapur që ata mund të gjejnë. Në disa raste njerëzit kanë hedhur vota në kutitë e votimit të vendosura në rrugë.

“Shteti spanjoll ka penguar katalanasit që të ushtrojnë të drejtat e tyre, duke i dhënë një imazh të tmerrshëm Spanjës” u tha Puigdemont gazetarëve.

Zyrtarët e policisë spanjolle thonë se janë të zhgënjyer nga forcat policore rajonale të Katalanasve, të cilët i kishin siguruar ata se nuk do të lejonin hapjen e qendrave të votimit.

Nga mesi i mbasdites, duket se situata po normalizohej në disa vende kryesore votimi.
Partia kryesore opozitare, PSOE e cila në fillim mbështeti politikën e ashpër të qeverisë konservatore ndaj shkëputjes katalane, i bëri thirrje kryeministrit spanjoll Mariano Rajoy dhe Puigdemont të jepnin dorëheqjen dhe të organizonin zgjedhje të reja.
Në shenjë proteste kundër përpjekjeve të qeverisë qendrore për të ndërprerë referendumin, skuadra e futbollit të Barcelonës anuloi një ndeshje me një ekip tjetër spanjoll, sepse ekipi tjetër njoftoi se do të luante me ngjyrat e Spanjës qepur në fanellat e futbollistëve.
Nën kërcënimin e sanksioneve nga shoqata spanjolle e futbollit, ekipi i Barcelonës më në fund ra dakord të luante një ndeshje me dyer të mbyllura me ekipin nga Ishujt Kanare, ku mbështetja për qeverinë qendrore është e fortë.

Etiketa: ,