PD: Jo “imperializmit amerikan”


E martë, 10 Maj 2016

Tiranë – Mbledhja jashtë radhe e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike është shoqëruar me debate të forta për Reformën në Drejtësi dhe praninë e ambasadorëve në mbledhjet e grupit parlamentar.

Ish-ministrat e PD-së Genc Ruli, Ridvan Bode, Genc Pollo dhe Arben Imami i kanë kërkuar kreut të partisë Lulzim Basha që të mos lëshojë pe sa i përket reformës në drejtësi, ndërsa deputetja Jozefina Topalli është përplasur me Bashën për praninë e ambasadorëve në mbledhjen e grupit. Ish-ministrat kanë kritikuar qasjen e Partisë Demokratike ndaj reformës në drejtësi dhe kanë kërkuar intensifikim të përpjekjeve për reformën zgjedhore. Dhe deputetë të tjerë kanë qenë të mendimit se prania e ambasadorëve në mbledhje është e tepërt, por Basha është përgjigjur se PD-ja nuk mund të refuzonte, për sa kohë mbledhjet do të zhvillohen edhe me socialistët dhe LSInë. Ndërkohë, deputeti Eduard Selami e ka cilësuar normale praninë e ambasadorëve në mbledhjet e grupeve dhe ka thënë se, amerikanët merrnin pjesë në mbledhje të ndryshme në kohë krizash. Por ish-kreu i Partisë Demokratike, ka shpërthyer Bashës, duke thënë se nuk po zhvillon zgjedhje demokratike në parti. Ai ka theksuar se themeluesit dhe anëtarët prej shumë vitesh në PD nuk janë thirrur në mbledhje, ku një nga ata ka qenë edhe ai.

Debatet e plota në mbledhjen e grupit parlamentar

Lulzim Basha: Po finalizojmë qëndrimin tonë për procesin zgjedhor bashkë me aleatët tanë dhe pres që brenda kësaj jave apo në fillim të javës së ardhshme Komisioni Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore, mazhoranca të ketë të parashtruar në mënyrë profesionale standardin europian të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, votimin biometrik, numërimin elektronik dhe të gjithë aspektet e tjera që kanë të bëjnë me shkurtimin e duarve të korrupsionit dhe krimit nga vota e shqiptarit. Partia Demokratike dhe unë e kemi bërë të qartë prej fillimit, pa një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme asgjë tjetër nuk do të funksionojë normalisht në këtë vend. Natyrisht ne jemi edhe kemi qenë pjesë dinjitoze e përpjekjes për një reformë në drejtësi, pa propagandë, pa shtirje siç bënë ata që thonë do ta votojmë pa e lexuar. Por me seriozitetin që meriton reforma në drejtësi jemi angazhuar dhe do të vazhdojmë të angazhohemi.

Astrit Patozi: Cilido qoftë fati i reformës në drejtësi, ne duhet të përqendrohemi te garancitë për zgjedhjet e ardhshme. Reforma në drejtësi është e pakrahasueshme me ‘to. Zgjedhjet janë sfida jonë reale. Nëse shkojmë vitin e ardhshëm në zgjedhje si në dy herët e fundit, atëherë do të asgjësohemi. Në krye të qeverisë qëndrojnë kryehajdutët të cilët janë të gatshëm të vjedhin zgjedhjet kurdoherë.

Genc Ruli: Partia Demokratike duhet të ketë një draft të saj për reformën në drejtësi. Ne duhet të jemi më të qartë. Reforma në drejtësi dhe ajo zgjedhore janë jetike për vendin.

Genc Pollo: Duke kaluar draftin sipas kërkesave të ekspertëve të PS-së rrezikohet që maxhoranca të kapë institucionet. Kjo nuk duhet lejuar pa asnjë kusht.

Eduard Selami: Mua më shqetëson në fakt tjetër. Zoti Basha këtu flet për reformë zgjedhore, ndërkohë në parti nuk bën zgjedhje të rregullta. Nuk ka asnjë kriter dhe rregulla për këto zgjedhje që janë shpallur të zhvillohen, por ka vetëm zgjedhje në zonat të cilat kërkohen të mbahen nën kontroll dhe të vendosen influenca. Themeluesit dhe anëtarët prej shumë vitesh në PD nuk janë thirrur në mbledhje. Këtu nuk mund të flitet më për demokraci.

Lulzim Basha: Vendimi për tu zhvilluar zgjedhje në degët problematike ka qenë vendim i kryesisë. Ndërsa sa i përket çëshjtes së reformës, opozita do t’i qëndrojë parimeve të saj për moskapjen e institucioneve të drejtësisë nga qeveria. Opozita është në përballje me qeverinë dhe do të vijojë me këtë përballje.

Jozefina Topalli: Mos fol më për bojkot dhe për përballje me qeverinë sepse nuk e kemi bërë siç duhet.

Lulzim Basha: Kam folur për përballje me qeverinë.

Jozefina Topalli: E papranueshme që ambasadorët të jenë në mbledhjen e grupit. Ardhja e ambasadorëve për të na diktuar votën, shkel sovranitetin dhe përbën rast unik që ambasadorët thërrasin grupin e PD-së. Po ndodh ajo që nuk ka ndodhur asnjëherë, shkohet në komisionet parlamentare dhe i kërkohet që të bëhet reformë dhe kërkohet që të shkojnë te grupet parlamentare diplomatë të huaj dhe t’i tregojnë se duhet të bëjnë reformë. A ka ndodhur ndonjëherë në 25 vjet që ambasadorë të huaj të shkojnë në komisionet parlamentare dhe të marrin fjalën? A ka ndodhur ndonjëherë në 25 vjet apo në 125 vjet që ambasadorë të huaj të kërkojnë të marrin pjesë në grupet parlamentare? Kurrë! Kurrë! Nga viti 1912, kur është bërë ky shtet shqiptar, me të gjitha peripecitë e tij, uljet dhe ngritjet, nuk ka ndodhur një gjë e tillë. Pse ndodh tani? Sepse jemi këta që jemi. Sepse kryeministri i vendit tim na thotë neve barbarë, gënjeshtarë pse themi që në grupin e tij apo te maxhoranca ka kriminelë. Çfarë ndodhi dje? A nuk tha vetë Mark Frroku për shkak të uljes së dënimit, po, unë kam vrarë? Ne jemi barbarë, ai që futi në listë vrasësit, jo, ai ka të drejtën të na thotë ne barbarë. Po pse të mos kërkojnë ata të vijnë në komisionet dhe grupet parlamentare? Të vijnë këtu te unë, ku jam unë sot, apo ku jeni ju e t’ju kërkojnë se çfarë duhet bërë. Problemin e kemi me veten. Shqiptarët nuk janë dele, por natyrisht e kanë një shqetësim: sa më të varfër dhe të intimiduar, aq më të vështirë e kanë për të gjetur rrugën e tyre.

Lulzim Basha: Më duhet të them se Ambasada e SHBA-ve ka qenë mbështetëse për reformën në drejtësi si dhe njëherazi ka mbështetur edhe qëndrimet e PD për Byronë Kombëtare të Hetimit. Nuk ka arsye për tu kompleksuar nga prania e ambasadorëve në mbledhjen e grupit. Nga ana tjetër ne kemi qëndruar fort për parimet tona për reformën në drejtësi.

Sali Berisha: Edhe unë ndaj të njëjtin qëndrim me zotin Basha. Prania e ambasadorëve në mbledhjen e grupit parlamentar për të diskutuar një nga çështjet më të rëndësishme reformatore të vendit, reformën në drejtësi është e mirëseardhur. Vendi po kalon një ngërç të madh për shkak të arrogancës së kësaj qeverie. Ambasadorët po bëjnë përpjekje për të vënë në jetë drejtësinë e munguar në vend.

Jozefina Topalli: Nuk është koha për të heshtur, nuk është koha për të bërë konformistin dhe as nuk është koha për t’u kërrusur. Është koha për t’i thënë ca gjëra ashtu siç janë, me thjeshtësinë e tyre, përballë, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ky vend nuk mund të ecë më kështu përpara. Ky vend nuk ka nevojë vetëm për reformën e drejtësisë, jo, do të isha e pandershme dhe e padrejtë. Unë, sigurisht, që jam për reformën në drejtësi, por s’jam kurrë për reformën e drejtësisë për ta lexuar e votuar, pa e parë dhe pa e studiuar. Unë mendoj se ky vend, mbi të gjitha, ka nevojë për lehtësim për biznesin, ka nevojë për punësim, ka nevojë për t’i dhënë shpresë brezit të ri për të gjetur një vend pune, për të punuar me djersë e me mund, e për të ndërtuar jetën. Ky vend ka nevojë për njerëz që e duan dhe jo për njerëz që përdorin të fortët, paranë dhe mafien për të konsoliduar pushtetin e tyre, dje në 2013-ën apo nesër në 2017-ën. Është momenti që secili prej nesh të bëjë zgjidhjen përfundimtare, në mënyrë që të mos shkojmë tek 2013-a, të mos shkojmë tek ‘44-a dhe të mos qëndrojmë tek 2016-a.

Eduard Selami: Prania e ambasadorëve në mbledhjet e grupeve më duket një gjë e jashtëzakonshme. Amerikanët merrnin pjesë në mbledhje të ndryshme në Gjermani dhe Japoni pas Luftës së Dytë Botërore. Qëllimi i pranisë së ambasadorëve në mbledhjet e grupeve parlamentare lidhet me situatën dramatike që po kalon vendi.

Reforma në Drejtësi votohet në parim në komision. PD: Kemi ende vërejtje

Edhe pse Partia Demokratike dha dje votën në parim pro draftit të ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi, demokratët duket se do ta kushtëzojnë këtë proces. Pas përfundimit të mbledhjes së komisionit të Posaçëm për reformën në drejtësi, deputeti i Partisë Demokratike, Eduard Halimi deklaroi se opozita nuk votoi “pro” çështjeve politike. Ai theksoi se tashmë do të nisë diskutimi për shqyrtimin e draftit nen për nen. Halimi deklaroi se i ka propozuar komisionit një formulë tjetër alternative për zgjedhjen e gjyqtarëve dhe njerëzve të drejtësisë që nuk do të jetë as 3/5 as 2/3. Ndërkohë mbërritja e këtij propozimi mohohet nga ana e mazhorancës. “Përfunduam procesin e diskutimeve të draftit të sjellë nga ekspertët e EURALIUS dhe OPDAT, të draftit të rishikuar të datës 4 maj. Vota jonë pro fillimit të procesit të amendamenteve, të diskutimeve nen për nen të amendamenteve Kushtetuese, nuk duhet të interpretohet, ashtu siç dhe u ra dakord në mbledhje, nuk duhet të interpretohet si një votë pro çështjeve politike, të cilat ekspertët e misionit të EURALIUS dhe OPDAT nuk i kanë marrë në trajtim”, tha Halimi. Më tej ai ka saktësuar se për çështje politike palët vijojnë të ndajnë qëndrime të kundra. “Çështje që kanë të bëjnë me institucione të reja Kushtetuese dhe me emërimet e këtyre institucioneve apo me ndërprerjen e mandateve kushtetuese, janë çështje politike për të cilat qoftë ekspertiza ndërkombëtare, qoftë Komisioni i Venecias pothuajse në të gjitha paragrafët e tij, ia adreson politikës. Ndaj ne sot përsëritëm thirrjen tonë drejtuar mazhorancës që çështjet politike të fillojnë dhe të negociohen sa më shpejt në mënyrë që votimi në tërësi së bashku me të gjitha ligjet që do të shoqërojnë amendamentet kushtetuese të merret dhe të miratohet pa vonesë gjatë javëve dhe muajve të ardhshëm”, tha Halimi. Në mbledhjen e Komisionit deputetët e PD kanë rilexuar edhe njëherë qëndrimin e bërë publik që të dielën ku përfshihet edhe fakti që e quajnë votimin në parim si ekstra parlamentar dhe ekstra kushtetues. Nuk dihet se çfarë e ka bërë Partinë Demokratike të devijojë mendim dhe qëndrim pasi reforma u miratua edhe me votën e saj Komisioni tha Halimi do të mblidhet të martën për të vijuar me miratimin nen për nen të paketës se amendimeve kushtetuese.

Xhafaj: Lajm i mirë, vlerësoj kontributin e opozitës

Kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, theksoi se votimi i reformës në parim për projektin kushtetues, është kontribut dhe i opozitës. “Më duhet të them se kemi hedhur një hap të mirë pas 20 muajsh punë intensive në një proces gjithëpërfshirës dhe transparent me standarde ndërkombëtare. Kemi një projekt kushtetues që hedh Bazat për drejtësinë aq të munguar e të shumëpritur. Durimi u shpërblye. Edhe me kontributin e opozitës dhe reflektimin e opozitës kemi votë mbështetëse. Kjo i hap rrugë votimit nen për nen në tërësi dhe më pas shqyrtimit në seancën plenare. Mbasi ka kaluar 20 muaj punë në një proces gjithëpërfshirës ngelet shumë më pak punë ëpr të bërë për sa kohë kemi pranuar që të gjithë palët në tryezë të japin mendimin e tyre”, tha kreu i komisionit. Duke nisur nga e marta tha Xhafaj, nis shqyrtimi nen për nen i paketës për ndryshimet kushtetuese e cila do të ndahet në 6 kapituj. “Në ditët në vijim e kemi ndarë procesin në 6 kapituj, kam propozuar një axhendë të gjerë anëtarëve dhe do ecim hap pas hapi. Nëse ka realisht vullnet të sinqertë do ta vazhdojmë këtë proces”, tha kreu i komisionit. Për reflektimin e opozitës Xhafaj thotë se e vlerëson kontributin e opozitës: “Vlerëson rolin e ndërkombëtarëve përmes asistencës teknike që i kanë dhënë. Ishte dhe si kusht i ndërkombëtarëve për të hyrë në procesin e Reformës. Lajm i mirë në ditën e Europës. Mazhoranca ka iniciuar këtë projekt ka ndërmarrë veprime për ta vazhduar, dhe do të vijojë ta mbështesë derisa të miratohet. Për 3-5 mbetet për tu diskutuar ka formula të ndryshme”, tha Xhafaj.