PD: Pjesëmarrja e shqiptarëve në luftën e Sirisë, çështje individuale


E diel, 26 Janar 2014

Prishtinë, 26 janar – Partia e Drejtësisë e vlerëson shkuarjen e qytetarëve të vendit si pjesëmarrës të luftës në Siri si çështje të vendimit të tyre personal, përveç në rastet kur institucionet e autorizuara shtetërore kanë informata të verifikuara për veprim të organizuar dhe sistematik të individëve ose grupeve në vend ose jashtë tij.

Kështu ka bërë të ditur nënkryetari i Partisë së Drejtësisë, Abdullah Klinaku, në një konferencë për media, i cili ka potencuar se janë kundër shkuarjes së organizuar të shqiptarëve në Siri, ndërsa ka thënë se mbështesin vendimet individuale të çdo njërit që vlerëson se duhet t’i bashkëngjitet luftëtarëve në Siri. “Partia e Drejtësisë nuk mbështet luftën e shqiptarëve jashtë vendit, por përderisa është vendim i tyre individual nuk interpretojmë dhe paragjykojmë vendimet e askujt.

Por të njëjtën kohë jemi kundër mënyrave të organizuara dhe në asnjë formë nuk pranojmë të cilat e rrezikojnë rendin kushtetues dhe ligjor. Por përderisa mbetët në çështjen e tyre individuale atëherë i mbesim besnik interpretimit tonë karshi kësaj dukurie”, ka pohuar Klinaku njofton kumtesa nga PD. I pyetur nga gazetarët për rrezikshmërinë e mundshme që mund të sjellin pas kthimit nga Siria, dhe mundësinë e ballafaqimit të tyre me akuza të ndryshme, Klinaku ka pohuar se të tillët nëse respektojnë ligjet dhe kushtetutën e Kosovës, nuk mund të etiketohen dhe të gjykohen nga askush.

Etiketa: ,