E martë, 13 Tetor 2015
Prishtinë – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka shprehur shqetësimin e saj për situatën në vend dhe veprimet jodemokratike, që sipas saj, që po përdoren si mjet për arritjen e qëllimeve politike.
Kryesia e PDK-së e cila sot ka mbajtur mbledhje ku ka shqyrtuar zhvillimet e fundit në vend me anë të një komunikate ka thënë se ngjarjet e mbrëmshme janë në kundërshtim me veprimet politike në një shtet demokratik.
“Në veçanti PDK konstaton se kufizimi i punës normale në institucione demokratike dhe përdorimi i dhunës në këto institucione apo edhe jashtë tyre, sikur ndodhi mbrëmë, nuk përkojnë me veprimet politike që duhen të përdoren në një shtet demokratik ndaj institucioneve demokratike dhe shtetërore”, thuhet në komunikatë.
Kryesia e PDK-së fton të gjitha partitë politike dhe individët, që të respektojnë rendin dhe vlerat demokratike, institucionet, si dhe Ligjin e Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
“PDK do të angazhohet në mbrojtje të këtyre vlerave që garantojnë funksionimin e shtetit demokratik e ligjor me vizion për integrimin në BE dhe partneritetit me botën demokratike”.
“Kryesia e PDK-së i jep përkrahje veprimeve të Grupit Parlamentar të PDK-së dhe Kryetarit të Kuvendit, për evitimin e konfliktualitetit dhe anarkisë, si dhe mbështetë vendosmërinë e tyre për të vazhduar punën normale në Kuvend, në miratimin e ligjeve në shërbim të qytetarëve të vendit tonë”,thuhet në komunikatën e PDK-së…