Për gjashtë muaj Kosova importoi 1.573 tonë duhan


E mërkurë, 21 Gusht 2013

Kosova gjatë gjysmës së parë të këtij viti ka importuar një sasi prej 1,573 tonë të duhanit, dhe ka mbledhur nga taksa e akcizës të hyra në vlerë 42.485.757 euro.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci. Ai ka shpjeguar se në muajin janar në Kosovë janë importuar rreth 203 tonë duhan dhe taksa e akcizës ka qenë rreth 5 milionë euro.

Tre muajt në vijim sasia e importit ka rënë deri në 71 tonë dhe dukshëm është zvogëluar edhe taksa e akcizës në rreth 1.9 milionë euro.

Kurse, gjatë muajit mars sasia e duhanit të importuar është rritur për 133 tonë nga muaji shkurt. Ndërkaq, gjatë këtij muaji çmimi i akcizës ka arritur në 5.2 milionë euro.

“Në qershor sasia e importit të duhanit ka qenë 346.38 tonë, kurse akciza është rritur në rreth 9.3 milionë euro. Kjo ngritje e importit ka vazhduar edhe përgjatë muajit korrik me taksë të akcizës 9.6 milionë euro për 356 tonë duhan”, ka theksuar zëdhënësi Stavileci. /Tribuna/