Për një ‘Revolucion të Butë!’


E martë, 20 Janar 2015
Driton & Asdren

Driton GASHI & Asdren HAZIRAJ

‘U zgjova! Edhe sot po sikurse dje me këtë ndjenjë inferoriteti dhe pasigurie. Është mendimi i parë që më bie në mend çdo mëngjes. Dhe me siguri që nuk jam i vetmi që zgjohem me këtë ndjenjë!’.
‘Duhet ndryshim, reformim, dhe pa u keqkuptuar e gjithë kjo nevojitet një ‘Revolucion i Butë’. Janë buzët që pëshpërisin në vete pa më dëgjuar askush përveç zemrës sime’

Po ti çasemi thënies se famshme të Abraham Lincoln-it mbi atë se: ‘Qeveria e popullit buron nga populli dhe është për popullin’, atehërë do ta kemi më të lehtë, që ne si shoqëri socio-politike dhe demokratike të kemi ekskluzivitetin e zgjedhjes së formave qeverisëse dhe njëkohësisht zgjedhjes së njërzve për t’i implementuar pikërisht këto forma. Kjo vlen, pikërisht, në sistemin demokratik që sigurisht dhe fatmirësisht e gëzojmë. Ne si shoqëri demokratike duhet ta luftojmë këtë klasë politike që tash e sa kohë i ka shkaktuar vetëm dëm dhe asnjë dobi të vetme vendit dhe atdheut tonë.Si shoqëri demokratike na nevojitet një ndryshim thelbesor.

Vetvetiu lind pyetja: ‘Si bashkësi qytetare e organizuar në shtet demokratik, a jemi duke zgjedhur mënyren e duhur, format dhe njerëzit me kredibilitet që të udhëheqim me atdheun tonë? Me bindjen më të madhe ne themi që JO! (jemi te bindur në përfundim negativ). Duhet ndryshuar në themel mentaliteti i kultivuar deri tani tek ne. Dhe, ku mund të ndryshoj më mirë dhe rrënjesisht se tek populli që me mjete demokratike ka në dorë fatin e tij. Dihen vështirësitë që ka kaluar populli deri në arritjen e aspiratave shekullore për shtetformim dhe dinjitet kombëtar.

Tashmë e kemi shtetin, kemi kushtetuten dhe jemi të lirë në zgjedhjet që bëjme. Është absurditet që të lejojmë rrënimin e vlerave dhe dinjitetin tonë nga disa njerëz (në përgjithësi politikëbërësit), që padyshim nuk janë të denjë dhe të aftë që të qeverisin dhe të ushtrojnë detyrat e tyre ashtu siç i ka hije këtij populli. Mbi të gjitha pa profesionalizëm dhe pa një vizion të qartë.

Pa e banalizuar fjalën nevojitet një ‘Revolucion i Butë’! Një ‘Revolucion’ së pari në gjithë sistemin politik dhe në klasën politike në vend. Kësisoj si pasojë e kësaj lëvizje duhet të vijë një frymë e re politike,që do të zëvendësojë këtë elitë të lodhur dhe të stërplakur që i ka ikur kredibiliteti artificial por edhe mosha tashmë.

Me kete term, ‘Revoulicion’, me siguri mendja i percepton zhvillimet revolucionare të shekullit të kaluar që prodhuan shkatërrim, regres në shoqërinë e atehërshme, luftëra të shumta dhe ndërrim sistemesh politike, kryesisht nga monarkitë tek sistemet diktatoriale socialiste të ekstremit të majtë. Mirepo, jo! Këtu nënkuptohet rishikim i vlerave sociale dhe politike të vendit. Ndërrim mentaliteti, zhvillim dhe ndryshim i vetëdijes kombëtare dhe perceptim të mirëqenë për këto vlera. Ose thënë ndryshe ‘rivlerësim i të të gjithave vlerave socio-politike’. Me këtë nënkuptojmë identifikim dhe çasje e duhur për zgjidhjen e problemeve të shumta që janë grumbulluar ndër vite, e që ka të atilla që tashmë duhet t’u thoshim të kaluara,e që fatkeqësisht janë ende prezente dhe të prekshme kudo. Me gjithë këtë kuptojmë nevojën dhe ndërrimin e kësaj Kaste Politike.

Në këtë kontekst mendohet ndryshim i çasjes së dyti në Arsim. i cili është mekanizmi më i fortë i një populli për zhvillim progresiv dhe nxjerrjen e gjeneratave të kualifikuara. Analizim i medotave mësimore të shkollimit fillor, të mesëm, universitar, deri tek ai shkencor dhe akadamik.

Përse neve sot nxjerrim gjenerata të tëra të mangëta profesionalisht të pajisur me diplomë? Të diplomuar por analfabetë! Ky është pikërisht paradoksi më degradues i arsimimit në shtetin tonë. Themeli i një shteti është arsimimi i mirëfilltë i atij shteti. Mirëpo, korrupsioni politik dhe nepotizmi kanë hyrë dhe kanë degraduar autonominë e sistemit arsimor nga cikli shkollor e gjer tek ai universitar që në muajt e fundit kjo dukuri negative është vërejtur dukshëm dhe hapur.

Përse ka aq shumë studentë dhe mbipopullim të universiteteve tona publike? Përse vlen kjo devizë sarkastike ‘më duhet te shkoj në universiteti për shkak se nuk gjej punë’, që fatkeqësisht kjo përshkruan këtë realitet të hidhur. Sigurisht që për këtë vlen pohimi i Tvezetan Todorov-it, mbi atë që:’Qeveria e keqe ka frikë nga arsimimi i mirë i qytetarit’.

Së treti vjen Ekonomia e cila është rrënuar pothuajse plotësisht nga kjo kastë politikanësh që me injorancën dhe pangopësinë (hajninë) e saj e ka ngulfatur dhe ngujuar ate. Kjo ekonomi e vendit besoni ose jo është duke numëruar ditët e fundit parakolapsike. Ekonomia e këtij vendi është duke perënduar në vend që të lulëzojë. Dhe sigurisht nuk mund të lulëzojë me udhëheqës të paditur dhe të pamatur në shumë veprime. Ajo mund të lulëzojë dhe ngritet atëherë kur rritet kualiteti i prodhimeve vendore dhe konsumimi i tyre.

Së katërti ndërrim ose amadamentim në Kushtetutë në disa pika kyqe. Eksluizivisht mbi atë ku nuk do të lejohej të ketë aq shumë ministri, ministra dhe zëvendësministra që më shumë komplikojnë gjendjen dhe situatën se sa kryejnë punë si duhet. Nuk na nevojitet sasia por cilësia. Sa herë duhet të ritheksohet kjo gjë të kuptohet njëherë e përgjithmonë. Të formohen departamente që mund të punojnë mbi plane konkrete për ndryshimin dhe zhvillimin e vendit. Është qesharake kur shohim tre ministra të punëve të jashtme. Jo me protokoll e jo pa protokoll. Këto janë banalizma dhe lojëra strukturore, fanatiste e ruajtëse- partiake, kuptohet! Është momenti ynë i fundit që të vendosim për një shtet kredibil, të zhvilluar si politikisht dhe mendërisht. Dikur do të jetë vonë. Ama, shumë vonë! (…)

Shkruan: Driton Gashi dhe Asdren Haziraj

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.