E premte, 13 Dhjetor 2013
Bruksel, 13 dhjetor – Kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq janë takuar sot në Bruksel për një rreth të ri bisedimesh mbi çështjen e gjyqësorit, por marrëveshje nuk ka. Edhe ky rreth, si rëndom, është ndërmjetësuar nga shefja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, raporton Rel.
Pas takimit, Thaçi e ka cilësuar takimin si konstruktiv.
“Ne kishim një takim konstruktiv. Është pajtueshmëri e plotë se duhet të jetë një sistem unik i drejtësisë, ndërsa marrëveshje nuk ka”, ka thënë Thaçi, duke paralajmëruar se tani u mbetet ekipeve teknike të vazhdojnë punën e tyre.
Në takimin e javës së kaluar, palët kanë arritur përparim për çështjen e policisë, përkatësisht integrimit të strukturave jolegale në Policinë e Kosovës.
Bashkimi Evropian e pati cilësuar si vendimtar këtë takim, sepse nëse në të arrihet përparim, sidomos sa i përket çështjes së gjykatave në veri, atëherë baronesha Ashton do të përpilojë një raport për shtetet anëtare të BE-së, për të vlerësuar suksesin në zbatimin e marrëveshjes së 19 prillit.
Shtetet anëtare të BE-së janë duke u konsultuar edhe për formulimin e kornizës negociuese, e cila duhet të miratohet para se të nisin negociatat me Serbinë.
Sipas burimeve diplomatike, pritet që në këtë kornizë edhe një herë të nënvizohet se normalizimi i marrëdhënieve në mes të Serbisë dhe Kosovës do të mbetet kusht për Serbinë gjatë tërë procesit të negociatave.
Takimi i sotëm ishte i dyti që zhvillohet pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, në të cilat për herë të parë kanë marrë pjesë qytetarët serbë të komunave veriore të vendit tonë.