Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Edhe meqë i arrestoi hoxhallarët Jahjaga kërkon njohje nga vendet islame

Prizren Post | 10:21 - 23.09.2014

  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  
  •  

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, është takuar sot në New York me sekretarin e përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Iyad Madani, me të cilin bisedoi mbi zhvillimet aktuale në Kosovë dhe në rajon, konsolidimin ndërkombëtar të vendit dhe perspektivën evropiane për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Sipas një njoftimi nga presidenca, presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është stabilizuar si një shtet që po promovon paqen dhe fqinjësinë e mirë në gjithë rajonin dhe po synon përmbylljen e procesit të anëtarësimit në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Ajo ka thënë se konsolidimi ndërkombëtar i Kosovës është me rëndësi, sepse do të ndihmojë stabilitetin jo vetëm të vendit por edhe të gjithë rajonit.

“Presidentja Jahjaga tha se Organizata e Konferencës Islamike mund të ndihmojë Kosovën në fushën e njohjeve, meqë një numër i shteteve anëtare të saj ende nuk e ka pranuar. Ajo tha se përmbyllja me sukses e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga të gjitha vendet e Organizatës së Konferencës Islamike do të ndihmonte vendin në skenën ndërkombëtare, në veçanti anëtarësimin e saj në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare”, thuhet në njoftim.

Më tej shtohet se sekretari i përgjithshëm i Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Iyad Madani, duke vlerësuar të arriturat në Kosovë, theksoi se OBI do të vazhdojë t’i japë mbështetje Kosovës në të gjitha fushat.

“Ai tha se vendet anëtare të OBI që ende nuk e kanë njohur Kosovën po shqyrtojnë mundësitë për një hap të tillë, por tha se ky është një proces më i gjatë. Sekretari i përgjithshëm i OBI tha se Organizata pati miratuar rezolutën e saj për Kosovën me të cilën kërkohet nga të gjitha vendet anëtare ta njohin Kosovën”, theksohet në njoftimin e presidencës.

Për fund shtohet se presidentja Jahjaga dhe sekretari i përgjithshëm i OBI biseduan edhe për zhvillimet e tjera në rajonin e Evropës Juglindore dhe perspektivën evropiane të Kosovës por edhe të gjithë rajonit. /Telegrafi/


Bëni një koment

Arivisti Company