E premte, 2 Maj 2014
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në takimin e tretë dhe të fundit negociator të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian tha se MSA do të jetë një dokument bazë, i cili do të rregullojë marrëdhëniet tona politike me BE-në deri në hapin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.
Thaçi tha se falë një pune të shkëlqyeshme të ekipeve negociuese, kanë arritur që pas tri takimeve të kryenegociatorëve, dy raunde të takimeve teknike dhe një numër të konsiderueshëm të video konferencave, të negociojnë një marrëveshje, e cila do të shënojë fillimin zyrtar të procesit të anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.
“Sot, para vetes, për miratim, kemi një marrëveshje që do të jetë themel i procesit integrues të vendit tonë në BE. Kemi një ofertë të shkëlqyeshme politike, juridike dhe ekonomike për t’iu bashkuar bllokut më të fuqishëm politik dhe ekonomik në botë. Marrëveshja do të jetë dokument bazë, i cili do të rregullojë marrëdhëniet tona politike me Bashkimin Evropian, deri në hapin e anëtarësimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, u shpreh Thaçi.
Sipas tij, ky moment largon çdo dyshim dhe vulos përcaktimin strategjik të shtetit tonë, për të qenë anëtar i BE-së.
Ai më tej tha se përveç rëndësisë politike dhe ligjore ka Marrëveshja për Stabilizim Asociimit ka në kuadër të procesit integrues, ka edhe rëndësi ekonomike.
“Marrëveshja e negociuar do të ofrojë hapjen e plotë të tregut të Bashkimit Evropian për bizneset tona dhe njëkohësisht do të ofrojë mbrojtje të veçantë për zhvillimin e bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat kanë potencial zhvillimi dhe krijimi të vendeve të reja të punës. Që nga shpallja e pavarësisë, ne jemi fokusuar në ndërtimin e themeleve të shëndosha të zhvillimit ekonomik dhe gjenerimin e vendeve të reja të punës. Kjo ka nënkuptuar konsolidimin e institucioneve të shtetit dhe investimet në infrastrukturë, bujqësi dhe së fundi reforma e të bërit biznes”, u shpreh kreu i ekzekutivit.
Thaçi u shpreh se Republika e Kosovës, në kuadër të procesit të integrimit evropian, në vazhdimësi ka treguar shkallë të lartë të përgjegjësisë politike dhe institucionale. /Telegrafi/