Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Pezullimi i disa OJQ-ve në Kosovë

Prizren Post | 20:30 - 09.10.2014

Faik MIFTARI

Me datë 17 shtator 2014 Departamenti për Organizata Joqeveritare pranë Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës morri vendim për pezullimin e disa OJQ-ve, si vendore ashtu edhe ndërkombëtare. Në Kosovë janë të regjistruara dhe veprojnë shumë OJQ-të vendore si dhe OJQ-të ndërkombëtare Me vendimin në fjalë Departamenti për OJQ-të i pezulloi 14 OJQ-të në Kosovë me arsyetimin e njëjtë për të gjithë, me të cilin në mënyrë të përgjithësuar dhe në mënyrë abstrakte i ka kualifikuar të gjitha OJQ-të që është një non sens në procedurën administrative.

Departamenti i OJQ-vë në Kosovë duke vendosur sipas kërkesës së “Organit Kompetent të Sigurisë, i cili më parë ka parashtruar kërkesë për Pezullimin e veprimtarisë së OJQ-ve në Kosovë me nr. të protokollit 300 të datës 15.09.2014”, e ka pezulluar punën e 14 OJQ-ve në Kosovë. Ky vendim është i përgjithësuar dhe në mënyrë abstrakte i formuluar. Nuk ceket cili është Organi Kompetent i Sigurisë, gjithashtu, nuk ceket në kërkesën e parashtruar me nr. të protokollit 300 të datës 15.09.2014, në bazë çfarë dyshimi konkret ngarkohet një OJQ-e caktuar, dhe se nuk mund të jenë të gjitha OJQ-të e pezulluara me të njëjta dyshime . Më tutje në arsyetimin e dispozitivit të vendimit shkruan: ” Në informacionet e institucioneve kompetente të sigurisë ekziston dyshimi i bazuar që veprimtaria e OJQ-vë të cekura nuk përkon me rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe me të drejtën ndërkombëtare , rrjedhimisht ka bërë shkelje edhe të normave juridike të statutit në bazë të cilit është regjistruar”. Në këtë arsyetim të vendimit kemi formulim të përgjithësuar, abstrakt dhe jo konkret. Do të sqarojmë me radhë termet e cekura në arsyetimin e tillë me formulim të përgjithësuar në vendimet për pezullimin e OJQ-ve.

Me rend juridik nënkuptojmë: ” Uniteti i normave juridike dhe sjelljet e njerëzve sipas atyre normave përcaktojnë nocionin e rendit juridik. Rendi juridik përfshin vetëm atë pjesë të rendit shoqëror, e cila është e rregulluar me të drejtën”.

Me rendin kushtetues nënkuptojmë ” Rendi që bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mos diskriminimit , të drejtës së pronës, mbrojtjes së mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut”.(neni 7. alinea 1 e Kushtetutës së Republikës së Kosovës).

Me drejtën ndërkombëtare nënkuptojmë:”Tërësinë e rregullave që përcaktojnë të drejtat dhe detyrat e shteteve në marrëdhëniet midis tyre. E drejta ndërkombëtare përkufizohet edhe si tërësi normash që në pjesën më të madhe është e përbërë nga parimet dhe rregullat e sjelljes të cilat shtetet konsiderojnë se duhet pasur parasysh dhe respektuar në përgjithësi në marrëdhëniet njëra me tjetrën”.

Me normë juridike nënkuptojmë:” Rregull shoqërore e detyrueshme për sjelljen e njerëzve e sanksionuar nga shteti”. Ky formulim i përgjithësuar dhe në mënyrë abstrakte na përkujton formulimin e akteve juridike të sistemit monist , të cilin e kemi lënë mbas, në bazë të të cilave janë dhënë ndëshkime gjyqësore duke i dënuar njerëzit e pafajshëm vetëm në saje të dyshimeve, e jo në bazë të vërtetimit të provave. Vendimi duhet të jetë përmbajtësor, konkret, i qartë, i bazuar në ligj dhe i arsyetuar në mënyrë të thuktë e jo në mënyrë abstrakte. Çfarë ka vepruar një OJQ- e pezulluar që nuk përkon me rendin juridik dhe kushtetues, në cilën veprimtari ka ndesh me të drejtën ndërkombëtare, cilat norma juridike të statusit i ka shkel një OJQ, në mënyrë konkrete veç e veç për çdo OJQ-në e pezulluar.

Departamenti për OJQ i Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës në vendimin e sjell për pezullimin e OJQ-ve në Kosovë, në arsyetimin e dispozitivit thirret në nenin 9, paragrafi 9 si dhe në nenin 16, paragrafi 4, të Ligjit Nr. 04/L-57 për Lirinë e Asocijimit në Organizatat Joqeveritare, të cilët fare nuk kanë të bëjnë me çështjen e pezullimit, pasi që në Ligjin për Lirinë e Asocijimit në Organizata Joqeveritare me asnjë nen nuk e parasheh pezullimin e OJQ-ve në Kosovë. Ja se çfarë përmbajnë nenet dhe paragrafet e apostrofuara nga Departamenti i OJQ-ve i Ministrisë së Administratës Publike për pezullimin e OJQ-ve në Kosovë.

Neni 9, paragrafi 9 i Ligjit Nr. 04/L-57 thotë: ” Organi kompetent i lëshon OJQ-së çertifikatën për regjistrim, ose një vendim me shkrim me të cilin refuzohet regjistrimi brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh, nga dita e pranimit të kërkesës për regjistrim,përpos, nëse organi kompetent bën kërkesë me shkrim gjatë rrjedhës së afatit, për informata të mëtutjeshme, ose për qartësim. Nëse regjistrimi refuzohet, organi kompetent përfshinë në vendimin për refuzim një arsyetim të bazave ligjore në bazë të të cilave regjistrimi refuzohet dhe të drejtën e ankesës”.
Neni 16, paragrafi 4 i Ligjit Nr. 04/L-57 thotë: “ Me ligj ndalohet financimi i organizatave, veprimtaria e të cilave nuk përkon me rendin juridik në Republikën e Kosovës dhe të drejtën ndërkombëtare”.

Departamenti i OJQ-ve i Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës më tutje thirret edhe në nenin 18 paragrafi 1 i Udhëzimit Administrative të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Nr. 02/2014 për Regjistrimin dhe Funksionimin e Organizatave Joqeveritare, dhe bënë shkelje të Ligjit. Dispozitivat e theksuara në Ligjin Nr. 04/L-57 nuk përmbajnë dispozitivin për pezullim dhe këtë mungesë ligjore Qeveria mundohet të plotësojë me Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2014 që ka sjell me datë 3 shtator 2014, me ç’rast edhe Qeveria e Kosovë bën shkelje ligjore, pasi që Udhëzimi Administrativ nuk mund të ndryshojë apo plotësojë Ligjin, sepse ndryshimi apo plotësimi i Ligjit bëhet nga Kuvendi i Kosovës. Kjo mënyrë e veprimit tregon se në këtë shtet diçka nuk funksionon si duhet. Në mënyrë të këtillë rrezikohet çdo individ, shoqatë, organizatë e cila vepron në Kosovë dhe e cila me një Udhëzim Administrativ mund të ndëshkohet në mënyrë retroaktive për veprimin e saj në të kaluarën.

Në Udhëzimin Administrativ Nr. 02/2014 të cilin Qeveria e Kosovës e ka aprovuar me date 3 shtator 2014, e përsëritë dhe i përshkruan të gjitha nenet dhe paragrafet e Ligjit Nr. 04/L-57, duke ia shtuar vetëm nenin 18 paragrafin 1 me të cilin e bën të mundshme pezullimin e OJQ-ve në Kosovë.

Neni 18, paragrafi 1 i Udhëzimit Administrativ Nr. 02/2014 të cilin Qeveria e Kosovës e ka miratuar me date 3 shtator 2014, dhe sipas së cilës vetëm dy javë më vonë Departamenti I OJQ-ve i Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës ka sjell vendimin për pezullimin e OJQ-ve në Kosovë, thotë: “Me kërkesën me shkrim dhe arsyetim të institucioneve të autorizuara të sigurisë, Departamenti nxjerrë Vendimin për pezullimin e veprimtarisë së OJQ-së, për të cilat dyshohet se veprimtaria e tyre nuk përkon me rendin juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës dhe me të drejtën ndërkombëtare”.

Prej kësaj mund të konkludojmë se vendimi për pezullimin e 14 OJQ-ve në Kosovë kryekëput është vendim politik, sikurse aksionet e kryera para ca kohësh në Kosovë.

Në fund do e përmbyll këtë vështrim me konstatimin se, Kosova është rasti i veçantë “sui generis”, andaj nuk është çudi që në Kosovë, Departamenti i OJQ-ve pran Ministrisë së Administratës Publike të Kosovës me një vendim të përgjithshëm dhe abstrakt mund të pezullojë të gjitha OJQ-të ekzistuese në Kosovë, dhe atë 7333 OJQ-të vendore si dhe 455 OJQ-të ndërkombëtare, që do të ishte një veprim, ” sui generis”, i aplikuar vetëm në Kosovë dhe askund tjetër në botë.

*Opinionet e autorëve nuk paraqesin domosdoshmërisht edhe opinionin e Prizren Post.


Arivisti Company