Po verifikohet integriteti i Cakajt


E mërkurë, 9 Janar 2019

TIRANË – Hezitimi për të konfirmuar propozimet e kryeministrit Edi Rama për ministra në kabinetin e tij, Presidenti i Shqipërisë Ilir Meta e ka justifikuar me faktin se janë emra të rinj dhe figura të reja, për të cilët po bëhet detyra normale e verifikimit të integritetit të tyre, ndryshe nga emrat që vijnë nga politika apo Kuvendi, që si përfaqësues kanë kaluar disa filtra në të kaluarën.

“Unë po përmbush të gjitha detyrimet kushtetuese që ka Presidenti i Republikës në këtë rast. Sikurse e keni vënë re, të gjitha propozimet janë konfirmuar menjëherë, që vijnë nga politika, nga Kuvendi, pasi janë përfaqësues, të cilët kanë kaluar disa filtra në të kaluarën sa i takon integritetit të tyre publik. Për të gjithë emrat e rinj apo figurat e reja që promovohen për ministra, pra që propozohen si të tillë po bëhet detyra normale, me shumë përgjegjësi për verifikimin e integritetit të tyre në mënyrë që të respektojmë institucionin e ministrit, si një institucion shumë të rëndësishëm kushtetues”, ka thënë Meta.

Ai nga Kavaja, ka dhënë sqarimet për mosdekretimin e shkarkimit të ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, e po ashtu edhe zëvendësuesin e tij, duke e parë këtë lëvizje si ridimensionim të rolit të Presidentit të Republikës.

Sa i përket figurës së propozuar për ministër të Jashtëm, që në bazë të Kushtetutës si ministër duhet të mishërojë cilësitë e deputetit.

“Brenda afateve dhe sa më shpejt që të jetë e mundur, jo duke pritur orët e fundit. Por kjo do të varet nga përgjigjja e institucioneve të cilave ne u jemi drejtuar. Do të bëjmë të gjitha veprimet përfundimtare dhe publike me transparencë maksimale”, ka thënë Presidenti Ilir Meta.

Etiketa: , , , ,