Policia britanike nuk ndan me SHBA’të informacionet për sulmin në Mançester


E enjte, 25 Maj 2017

Zyrtarët britanikë kanë reaguar me zemërim pasi fotografitë nga pasojat e sulmit janë shfaqur në gazetën New York Times.

Po ashtu emri i sulmuesit, Salman Abedi, ka rrjedhur në mediat amerikane vetëm pak orë pas sulmit, i cili ka lënë 22 persona të vrarë dhe 64 të plagosur.

Kryeministrja britanike, Theresa May, do t’i ngrejë këto shqetësime me presidentin amerikan, Donald Trump, në takimin e sotëm në Bruksel.

Policia e Mançesterit tha se shpreson të rifillojë marrëdhëniet normale të inteligjencës së shpejti, porse aktualisht është “e zemëruar”.

Policia, e cila po udhëheq hetimet në terren, ia kalon infirmacionet Forcës Kombëtare Anti-Terrorizëm, e cila më pas i ndan me qeverinë dhe, në bazë të një marrëveshjeje për shkëmbim të informacionit, me SHBA-në, Australinë, Kanadanë dhe Zelandën e Re.

Tetë persona janë aktualisht në paraburgim, nën dyshimet se kanë lidhje me sulmin në Mançester.

Etiketa: ,