Policia e Kosovës: Malazezët nuk kanë shkelur për asnjë centimetër në Kullë


E shtunë, 2 Korrik 2016

hoxha

Pejë – Policia e Kosova ka reaguar pas raportimeve dhe fotove të plasuara nga disa qytetarë, se Policia e Malit të Zi, respektivisht Njësia Speciale e saj, ka hyrë brenda territorit të Kosovës, në Kullë, duke legjitimuar veturat e Kosovës, ka reaguar Policia e Kosovës.

Duke iu përgjigjur interesimit të emisionit ‘Alo Mirëmëngjesi’, të Radio Dukagjinit, Daut Hoxha – Zëdhënës i Policisë së Kosovës – ka demantuar informatën e tillë.

“Informatat që kanë dalë janë të pavërteta dhe të pabazuara. Polica jonë kufitare ka kryer detyrat dhe nuk kemi asnjë shkelje të raportuar në këtë aspekt. Mund t’ju them me kompetencë se gjatë gjithë kohës nuk ka pasur asnjë shkelje, për asnjë centimetër, të territorit të Republikës së Kosovës. Dhe, ne kemi qenë e jemi aktiv”, deklaroi zëdhënësi Hoxha për Radio Dukagjinin.

I pyetur rreth mundësisë së shkeljes dhe ngritjes së ndonjë pike në zonën neutrael nga ana e Policisë Malazeze, Hoxha ka hedhur poshtë edhe këtë mundësi duke thënë se e tëra çfarë mund të konfirmohet është shtimi i numrit të personelit malazez, por në territorin e tyre.

“Mund t’ju them se ata, për shkaqe të tyre dhe të zhvillimeve të fundit, kanë pasur shtim të personelit. Asgjë tjetër nuk qëndron”, shtoi Hoxha./Telegrafi/