Policia: Nuk jemi të rrezikuar nga terrorizmi


E shtunë, 6 Qershor 2015

Policia e Kosovës vlerëson se tani për tani nuk paraqitet ndonjë rrezik i lartë nga terrorizmi në Republikën e Kosovës.

policia e kosoves

Prishtinë – Kërcënimet e një kosovari, i cili i është bashkuar grupit xhihadist “Shteti Islam”, se do të vijë e do të sulmojë jobesimtarët dhe ata që po ushtrojnë dhunë kundër muslimanëve në Kosovë, sipas institucioneve të sigurisë në vend nuk paraqesin ndonjë rrezik.
Bazuar në misionin dhe kompetencat që ka, Policia e Kosovës në vazhdimësi bën vlerësime të rreziqeve të mundshme të sigurisë në vend dhe në këtë kuadër edhe vlerësime për rreziqet që mund të vijnë nga terrorizmi apo grupet terroriste, ka deklaruar për gazetën “Zëri”, zëdhënësi i PK-së, Daut Hoxha.

“Policia e Kosovës vlerëson se tani për tani nuk paraqitet ndonjë rrezik i lartë nga terrorizmi në Republikën e Kosovës. Megjithatë, Kosova nuk mund të jetë imune sikurse nuk janë edhe shtetet më të zhvilluara në Europë e më gjerë”, ka theksuar ai.

Zëdhënësi Hoxha ka theksuar se Policia e Kosovës bazuar në normat juridike në vendin tonë dhe sipas Strategjisë Nacionale Kundër Terrorizmit dhe planit të veprimit, monitoron çdo aktivitet të personave fizikë dhe juridikë për të cilët siguron informata se mund të paraqesin rrezik për rendin kushtetues në të ardhmen apo mund të kryejnë ndonjë vepër penale.

“E gjithë kjo bëhet me qëllim të parandalimit dhe zbulimit të ndonjë vepre penale të mundshme, duke përfshirë veprat e terrorizmt.”, ka thënë ai.