Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Politikanët që kanë borxhe milionëshe

Prizren Post | 12:10 - 08.06.2016

Ramiz Kelmendi e Agim Bahtiri janë milioner sikur edhe shumë zyrtarë tjerë të lartë shtetërorë që kanë deklaruar në formularët e pasurisë. Ata kanë shtëpi luksoze, vozisin vetura të shtrenjta e bëjnë jetë tjetër nga qytetarët e rëndomtë. Por udhëheqësit kosovarë kanë edhe miliona euro borxhet që duhet t’ i paguajnë, qoftë shtetit, e qoftë familjarëve të tyre.
Sidomos gratë e pushtetarëve, të cilat në bazë të deklarimeve të pasurive i kanë detyruar bashkëshortët të futen në borxhe, për të përfunduar studimet e tyre.

Derisa ka edhe prej tyre, që ende kanë detyrime financiare në banka për ndërtimin e shtëpive të tyre milionëshe e blerjen e trojeve.

Presidenti Hashim Thaçi edhe pse ka nën pronësi pasuri të majme, deri para pak ditësh ishte në obligime ndaj bankave për kredinë 100 mijë euroshe që kishte marrë ta ndërtonte shtëpinë, shkruan Gazeta Fjala.

Pasuria e tij është mbi 700.000 euro, përfshirë shtëpitë e tij, tokat bujqësore, e veturën që vozit.

I zhytur në borxhe, duket t’i ketë punët edhe ish deputeti i Partisë së Thaçit, Ramiz Kelemendi.

Pasuria e tij me shtëpi, prona, automjete, kap shifrën e 53 milionë euro. Ndërkaq, Kelmendit i duhet 72 milionë euro për t`i kryer detyrimet financiare ndaj bankave.

Edhe deputetja e pavarur Margarita Kadriu Ukelli, nuk i ka punët mirë me borxhe.

Mbi katërqind mijë euro është vlera e pasurisë së saj, një pjesë të cilën e ka deklaruar si të trashëguar.

Derisa i duhet t’ia kthej bankës 160 mijë euro, raporton Gazeta Fjala.

Deputetët e ministrat borxhlinj

Partia Nisma për Kosovën, e udhëhequr nga Fatmir Limaj është krijuar vonë, mirëpo anëtarët e saj duket se shumë më herët i kanë qëndruar gati krijimit të pasurisë.

Zafir Berisha nga kjo parti, ka pasurinë e njëjtë si të presidentit. Mirëpo obligimet ndaj bankave i ka shumë më të mëdha.

Berishës, i duhet të kthej në bankë 220 mijë euro, të cilat i ka investuar në hotelin e tij “Kështjella”.

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj për shtëpinë e tij 250 mijë euroshe, i duhet t`i kthej bankës 40 mijë euro. Ndryshe në total ai ka në pronësi pasurinë prej gati katërqind mijë eurosh, raporton Gazeta Fjala.

Edhe deputeti tjetër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës Daut Haradinaj, nuk mund të fle pa vese se është i liruar nga borxhi për pasurinë e tij.

230 mijë euro Haradinaj, ka marrë borxh nga familjarët e tij për blerjen e shtëpisë e truallit.

Ndryshe nga vëllai i tij, Ramush Haradinaj, i cili nuk ka asnjë detyrim financiar, për pasurinë që zotëron.

Ka edhe prej deputetëve, që nuk kanë përse shqetësohen për kredinë e tyre, sepse kanë huazuar para nga familjarët.

Pasuria e deputetes Besa Gaxherri, është gati 700 mijë euro, e deklaruar si pronë e bashkëshortit. Mirëpo për t’i falur një jetë luksoze të shoqes, bashkëshorti i saj ende është në borxhe 31 mijë euroshe ndaj motrës e vëllait.

Deputetja Vjosa Osmani, ende është në borxh për shtëpitë e banesat e bashkëshortit 481 mijë euroshe. Osmani duhet t`i kthej bankës plot 80 mijë euro.

Disa prej deputetëve janë futur në borxhe vetëm për blerje të pajisjeve, të cilat u kanë kushtuar më shumë se pronat e tyre.

Shaip Muja është futur në borxh vetëm për blerjen e një aparati laserik, i cili i ka kushtuar më shumë se banesa e tij. Banesa e deklaruar e Mujës, ka vlerën e 37 mijë eurove, ndërsa aparati laserik 55 mijë euro.

Edhe deputetja Xhevahire Imzaku nga PDK, është në detyrime financiare për blerjen e banesës e mobilimin e saj. 95 mijë euro është pasuria e saj e deklaruar, ndërsa 55 mijë euro është borxhi që duhet të kryej Imzaku.

Edhe ministrat nuk e kanë lënë pa u zhytur në obligime financiare.

Agim Bahtiri 400 mijë euro borxh

Blerand Stavileci, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, nuk duket të jetë i treguar aq ekonomist pavarësisht postit që mbanë.

153 mijë euro, është pasuria e deklaruar e Stavilecit, ndërsa 87 mijë euro është shuma që duhet të paguaj për pasurinë që zotëron.

Borxhli është edhe ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar. Vlera e pasurisë së tij është mbi dy qind mijë euro, mirëpo i vogël nuk është as borxhi që duhet të laj. 80 mijë euro është borxhi ndaj bankës që ministri duhet të kryej. Në pasurinë e tij figuron edhe shuma 5 mijë euroshe që ka shpenzuar vetëm për t’i bërë dhuratë gruas.

Në të njejtën listë figuron edhe emri i ministrit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demollit, vlera e pasurisë e të cilit është gati 350 mijë euroshe. Për blerjen e banesës e shtëpisë Demollit, i duhet të paguaj 55 mijë euro.

Edhe Arban Abrashi nga Ministria e Punës e Mirëqenies Sociale, e Kujtim Shala, kanë detyrime financiare ndaj bankave.

Kujtim Shala për pasurinë e tij 300 mijë euroshe, duhet të kthej në banka 45 mijë euro, Ndërsa Abrashit për pasurinë e tij 500 mijë euro, i duhet të paguaj bankës 37 mijë euro. Në deklarimin e pasurisë thuhet se 16 mijë euro Abrashi i ka tërhequr në bankë vetëm për shkollimin e bashkëshortes.

Listës së borxhlinjve i bashkohen edhe kryetarët e Komunave. Disa prej tyre kanë prona marramendëse, e disa nuk kanë as vend për tu strehuar.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, ka pasuri milionëshe, mirëpo vetëm për ndërtimin e shtëpisë së tij 450 mijë euroshe, i duhet t`i kthej të njëjtën shumë bankës.

Për dallim nga Bahtiri, kryetari i komunës së Prishtinës Shpend Ahmeti, nuk ka as shtëpi nën pronësinë e tij, mirëpo 31 mijë euro duhet të paguaj bankës për kredi. Ahmeti e ka të deklaruar vetëm një makinë “Skoda”, e cila i ka kushtuar 11 mijë euro.

Kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, vetëm vitin e kaluar është pasuruar me hiq më pak se 1.6 milionë euro nga nëntë prona të trashëguara nga prindi.

Haziri posedon një veturë prej 10 mijë euro dhe 121 mijë euro të kursyera në bankë. Ndërkaq si detyrime ndaj bankës ka një kredi në vlerë prej 29 mijë e 625 euro./Gazeta Fjala/


Arivisti Company