Posti i kryeministrit po e “zhagit” marrëveshjen me VV-në


E premte, 30 Gusht 2019

PRISHTINË – Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se ende nuk ka diçka konkrete sa i përket koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje.

Mustafa ka thënë se është posti i kryeministrit ai që po e “zhagit” marrëveshjen me VV-në.

Ai shtoi se me Vetëvendosjen kanë ide të përbashkëta, por koalicioni bëhet vetëm në një ambient ku LDK do ta kishte kryeministrin, duke shtuar se çdo zgjidhje tjetër i dërgon në rrugën që të konkurrojnë veç e veç.

“Dje kam pas një takim me z.Kurti kemi biseduar pasatja kemi angazhuar edhe ekipet punuese që të shohim se çfarë mund të përafrohet sa i përket programit qeverisës, organizimit të qeverisë dhe orientimeve themelore që ne si koalicion qeverisës do ti kishim në të ardhmen, ka mbetur që ata të japin reflektimin e tyre me atë, akoma nuk kemi ndonjë përgjigje.

Ne jemi përcaktuar që koalicioni do të jetë i mundshëm, për të cilin vlerësojmë se është i mirë që të bëhet, por ajo duhet të bëhet në një ambient që LDK-ja do ta kishte kryeministrin. Çdo zgjidhje tjetër na qon në atë që të konkurrojmë veç e veç dhe pasi që të përfundon procesi zgjedhor të ulemi prapë dhe qeverinë ta drejtojë ai që ka shumicën e deputetëve”, ka thënë Mustafa, transmeton Telegrafi.

Ai tutje ka shtuar se nëse nuk do të kenë koalicion parazgjedhor, kanë lënë mundësi që koalicioni të bëhet pas zgjedhjeve.

“Në të gjitha bisedat kemi potencuar që nëse tani nuk mund ta bëjmë koalicionin ne duam të lëmë hapësirë për koalicion pas zgjedhjeve. Ne nuk duam partner tjetër pos VV-së, nuk do të bëjmë me askënd tjetër koalicion”, ka përfunduar Mustafa, njofton Telegrafi.

Etiketa: , , , , ,
Të fundit