Presidenca i përgjigjet Serbisë: Për dekretimin e gjyqtarëve vendosim ne


E enjte, 19 Tetor 2017

Drejtori i Zyrës së Qeverisë serbe për Kosovën Marko Gjuriq ka thënë sot se pala serbe nesër do të jetë e gatshme për krijimin e një gjykate dhe një prokurorie të re me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Por, nga Zyra e Presidentit, në një përgjigje dhënë Gazetës Express, e kanë përgënjeshtruar këtë lajm, duke sqaruar se dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë ndodh vetëm atëherë kur vendos Presidenti Hashim Thaçi.

 “Dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të komuniteteve jo shumicë, bëhet vetëm atëherë, kur për këtë vendos Presidenti i Kosovës”, thuhet nga Presidenca, e cila të martën pas dështimit të zbatimit të marrëveshjes së Drejtësisë, lëshoi akuza ndaj Beogradit, duke e quajtur njëkohësisht rastin si edhe një paaftësi të Bashkimit Evropian.

Presidenti shtoi se dekretimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve nga komunitetet joshumicë në Republikën e Kosovës, është edhe një nga masat afirmative, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i ndërmarrin për të arritur një barazi të plotë dhe efektive të pjesëtarëve të komuniteteve në të gjitha fushat e jetës, ekonomike, shoqërore, politike dhe kulturore.

Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në takimin e mbajtur në gusht në Bruksel, u pajtuan për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për drejtësinë, konkretisht integrimin e gjyqtarëve e prokurorëve në sistemin e drejtësisë të Kosovës.

Sipas marrëveshjes së arritur, gjyqtarët dhe prokurorët më 17 tetor duhej të integroheshin në sistemin e drejtësisë të Kosovës, por që një gjë e tillë dështoi të ndodhte.

Edhe nga zyra e shefes për Politikë të Jashtme të BE-së Federica Mogherini, në një përgjigje dhënë të martën për Gazetën Express, kanë bërë të ditur se Beogradi ka bërë kërkesën për shtyrje të zbatimit të kësaj Marrëveshjeje, edhe pse theksuan se integrimi i saj është i rëndësishëm për zbatimin e Marrëveshjes së Dialogut mbi drejtësinë.

Ndaj moszbatimit të kësaj marrëveshjeje reagoi edhe Ambasada Amerikane në Kosovë, e cila kërkoi që të dy palët të dakordohen për një afat tjetër kohor në një të ardhme të afërt.

Etiketa: , , ,