Presidenca thotë se Osmani ende s’ka nënshkruar vendim për zgjatjen e mandatit të EULEX-it


E hënë, 9 Qershor 2025



Presidentja e Kosovës ende nuk ka nënshkruar vendim për vazhdimin e mandatit të EULEX-it.

Këtë e ka bërë të ditur këshilltari i saj për media, Bekim Kupina i cili ka reaguar pas deklarimeve të deputetit të PDK-së, Artan Behrami i cili ka thënë se para e vendit në mënyrë të “fshehtë” ka vazhduar mandati i EULEX-it dhe Gjykatës Speciale.

Kupina në një reagim ka thënë se është në kompetencë të Osmanit vazhdimi i mandatit të EULEX-it, që siç ka përmendur ai, këtë e ka bërë edhe ish-presidenti Thaçi.

“Presidentja ende nuk ka nënshkruar asgjë sa i përket mandatit të EULEX-it, edhe pse është plotësisht në mandatin e saj ta bëjë një gjë të tillë, siç ka qenë njësoj në mandatin e Presidentit Thaçi, kur ai ia vazhdonte mandatin teknik të EULEX-it, për mentorim, monitorim dhe këshillim. Vazhdimi i mandatit të EULEX-it, është përcaktuar në Vendimin e Këshillit të BE-së të datës 5 qershor 2025, vendim ky që është publik”, ka thënë Kupina për Tëvë1.

Sa i përket vazhdimit të mandatit të Gjykatës Speciale, ai ka thënë se deputeti Behrami ka shpifur, duke thënë se mandati i kësaj gjykate është përcaktuar me amendamentet kushtetuese të votuara në Kuvendin e Kosovës.

“Deputeti Artan Behrami është mirë të mos shpif. Presidentja as nuk cakton e as nuk vazhdon mandat të gjykatës speciale. Mandati i kësaj gjykate është përcaktuar me amandament kushtetues të votuar nga 2/3 e Kuvendit të Kosovës dhe ai nuk mundet as të ndryshohet e as të ndërpritet apo vazhdohet nga institucioni i Presidencës”, ka thënë Kupina.







Etiketa:

Leave a Reply

Të fundit