Prizren: Nxënësit atakohen nga një sëmundje virale


E enjte, 20 Shkurt 2014

Disa nxënës të shkollave fillore dhe të mesme në Komunën e Prizrenit, janë prekur nga ‘Parotiti’, një sëmundje virale që përhapet nëpërmjet ajrit.

Kjo sëmundje kërkon kujdes, si nga prindërit ashtu edhe nga stafi mësimdhënës. Infektologu, Beram Karanezi, thotë se nuk ka nevojë për panik, pasi gjendja është nën kontroll dhe po menaxhohet mjaft mirë.

Janë 17 nxënës të disa shkollave të Prizrenit, që janë prekur nga një virus, i cili shkakton sëmundjen e “Parotiti”.

Sipas infektologut, Beram Karanezi, kjo sëmundje përhapet nëpërmjet ajrit dhe pezmaton gjëndrat e pështymës, duke shkaktuar kështu ënjtje të tyre dhe gjendja e të sëmurit, në disa raste,nëse nuk kurohet mund të lërë pasoja.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Nexhat Çoçaj, thotë se janë marrë masat e nevojshme, janë konsultuar drejtorët e shkollave dhe mësimdhënësit, që të gjithë ato nxënës që shfaqin shenja të gripit, të lirohen nga mësimi për 10-të ditë, derisa ata të kenë kaluar këtë gjendje.

Fillimisht ky virus ka prekur nxënësit e shkollës fillore “Zenun Çoçaj” në Gjonaj të Hasit, me pastaj ky virus është bartur edhe në Shkollën fillore “Mustafa Bakia”, ndërsa këto ditë janë prekur edhe nxënësit e Gjimnazit “Gjon Buzuku”.

Të gjithë nxënësit e infektuar, sipas mjekut Karanezi, janë të moshës prej 14 deri në 17 vjeç, të cilët për shkak të gjendjes në Kosovë në atë kohë, nuk kanë mundur të vaksinohen.

Megjithatë, specialistët e repartit të infektologjisë, thonë se gjendja është nën kontroll, ka mjete të mjaftueshme për mjekim, sëmundja me pak vëmendje dhe përkujdes, kalon lehtë dhe nuk le pasoja.

“Parotiti” është sëmundje infektive, i njohur në popull si shytat apo gukat dhe paraqitet kryesisht te fëmijët që nuk janë sëmurë më parë nga kjo sëmundje ose tek ata që nuk janë vaksinuar me kohë./RTK/