E diel, 4 Maj 2014
Shkup, 3 maj – Maqedonia ende nuk e ka hequr “nga qafa” gurin e rëndë. E ky “gur” është çështja e pazgjidhur me Greqinë fqinje. Edhe pse ka vite që me këtë problem po merret OKB-ja, kjo duket nuk do të zgjidhet shpejt, duke pasur parasysh qëndrimet diametralisht të kundërta të këtyre dy vendeve.
Për këtë arsye, ndërmjetësi i OKB-së, Methju Nimic, ka caktuar raund të ri bisedimesh mes palëve më 6 maj në Nju Jork.
Njoftimin për këtë e ka dhënë vetë OKB-ja, e cila ka specifikuar se dy negociatorët Zoran Jolevski dhe Adamantios Vasilakis i janë përgjigjur pozitivisht ftesës.
Ndërmjetësi Nimic fillimisht do të takojë ndaras negociatorët ndërsa më pas do të realizojë takim të përbashkët.
Takimi do të realizohet në Nju Jork dhe do të mbahet në prag të zgjedhjeve evropiane dhe lokale në Greqi.
Bazuar në këtë njoftim zyrtar, pas këtyre takimeve dhe pas përfundimit të zgjedhjeve, Nimic pritet të vizitojë Shkupin dhe Athinën.
Kërkesave ndërkombëtare për zgjidhjen e këtij problemi, i është bashkuar edhe sekretari amerikan i mbrojtjes, Çak Hejgell i cili i bëri thirrje Maqedonisë dhe Greqisë që të punojnë për gjetjen e interesit të përbashkët me qëllim që të mundësohet zgjerimi i NATO-s. Kjo pasi në vitin 2009, kur Shqipëria u pranua në NATO, Maqedonia u refuzua për shkak të këtij problemi.
Pavarësisht kësaj, Hejgell shtoi më tej se dyert e NATO-s mbeten të hapura për pranim të anëtareve të reja, duke shtuar se pa zgjerimin e NATO-s drejt Lindjes, kriza e sotme në Ukrainë do të jetë larg më e rrezikshme për Evropën.
Herën e fundit, Nimic me negociatorët ishte takuar në mars të këtij viti në Nju Jork. Por ky takim kishte rezultuar i dështuar./zhurnal/