E shtunë, 12 Tetor 2013
Suharekë, 12 tetor – Rreth 700 ish-punëtorë të fabrikës së gomës “Ballkani” nga Suhareka kanë pritur mysafirë të shumtë në kohën e mbajtjes së grevës.
Megjithëkëtë, përveç premtimeve, asgjë nuk është ndërmarrë për t’u realizuar kërkesat e tyre. Fabrika u privatizua në vitin 2005 dhe punëtorët po kërkojnë përmbushjen e obligimeve që dalin nga procesi i privatizimit. Grevistët thonë se në takimin që e kanë zhvilluar me zyrtarë të AKP-së, atyre ua kanë shpalosur kërkesat, për çka, sipas tyre, kanë marrë përkrahje, por asgjë konkrete. Sipas tyre, një ditë më vonë ata kanë pranuar një shkresë nga AKP-ja, ku sqarohet se pa zgjidhjen e ankesave që ndodhen tashëm në Dhomën e Veçantë të Gjykatës Supreme nuk mund të ndërmerret asgjë. Kohavisioni merr vesh se shkak i bllokadës së 20%-shit për këta punëtorë është një numër ankesash të bëra nga ish-punëtorët serbë të kësaj ndërmarrje. Gjithashtu të pakënaqur ka edhe shqiptarë, të cilët nuk ishin futur në listën për marrjen e 20%-shit nga sindikata e kësaj ndërmarrje.
Punëtorët e “Ballkanit” janë ankuar edhe se kushtet e punës brenda ndërmarrjes së privatizuar mbeten të vështira dhe se me muaj të tërë nuk po u jepen rrogat që ju takojnë.