Pushteti më i rëndësishëm se shteti


E diel, 27 Tetor 2013

Prishtinë, 27 tetor – Ministrat e Qeverisë së Kosovës me pjesëmarrjen e tyre në fushatën elektorale për zgjedhjet e 3 nëntorit po sakrifikojnë dhe rrezikojnë funksionalitetin e institucioneve qendrore, thotë shoqëria civile.

Duke lënë në rend të dytë angazhimin në dikasteret e Qeverisë, sipas tyre, në Kosovë po instalohet një kulturë e dëmshme politike, ku të gjitha strukturat, jo vetëm partiake po edhe ato shtetërore, po bëhen pjesë e fushatës elektorale për zgjedhje, shkruan Koha Ditore.

Zyrtarë të Qeverisë thonë se janë duke kryer detyrat e tyre dhe se angazhimi në fushatë është jashtë orarit.

Kryeministri i Kosovës në një nga mbledhjet e Qeverisë u ka kërkuar vartësve të tij që të mos merren me fushatë, por të angazhohen maksimalisht në kryerjen e detyrave që kanë para vetes, sidomos ato që ndërlidhen me përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe Marrëveshjen e Stabilizim- Asociimit. Mirëpo, urdhri i tij nuk është respektuar madje as nga ministrat që drejtojnë dikasterë që ndërlidhen me integrimet dhe politikën e jashtme.

Analistët thonë se dështimet që i kanë bërë ministrat e Qeverisë në punën për të cilën paguhen, po mundohen t’i kompensojnë me punën për të cilën nuk po paguhen- duke marrë pjesë në fushata. Me këtë sipas tyre, po rrezikohet dhe sakrifikohet funksionalitet i institucioneve qendrore.

Opozita ka kritikuar qasjen e Qeverisë duke thënë se ajo po lë anash punët që janë themelore për të ardhmen e qytetarëve.

Etiketa: , ,