Pushtimi mbretëror

Real Madridi ishte i jashtëzakonshëm në fitoren prej 6-1 përballë Galatasarayt në Turk Telekom Arena.

Iker Casillas e filloi ndeshjen në portën e mysafirëve, mirëpo për fatin e tij të keq u lëndua nga Sergio Ramos dhe në minutën e 15-të ia lëshoi vendin Diego Lopezit. Nga ana tjetër, Gareth Bale qëndroi në bankën rezervë (u angazhua në vend të Iscos, 64’).

Të dyja skuadrat ishin mjaft dinamike në fraksionin e parë duke krijuar raste, ndërsa pas dy shanseve të njëpasnjëshme të pashfrytëzuara të vendasve, Los Blancos e zhbllokuan rezultatin.

Angel Di Maria e pasoi topin në drejtim të Iscos dhe transferi i ri i Mbretërve e dërgoi në rrjet (33’). Ky ishte goli i vetëm i pjesës së parë.

Në gjysmën e dytë, Mbretërit e shkatërruan ekipin turk. Shumë shpejt pas rifillimit, Karim Benzema e dyfishoi rezultatin (54’).

Cristiano Ronaldo ishte aty për ta shënuar golin e tretë (63’) dhe të katërt (66’) të mysafirëve. Në golin e parë u asistua nga Isco, ndërsa në të dytin priti një top të kthyer pas goditjes së Sergio Ramos.

Në vazhdim të lojës, portugezi ka mundur të shkojë për het-trik, por vendosi të pasonte te Karim Benzema, i cili e shënoi golin e dytë personal (81’).

Golin e nderit për vendasit e shënoi Umut Bulut pak minuta pasi hyri në lojë (84’).

Dhe në fund erdhi het-triku i merituar i të pandalshmit superCR7 (90’).

Në ndeshjen tjetër të Grupit B, kampioni i Italisë, Juventus, ishte skuadra më e mirë në fraksionin e parë, mirëpo pas 45 minutash epërsia ishte në favor të vendasve. Pas një gjuajtjeje të lirë të Bengtsson, Nicolai Jorgensen i çoi në këmbë tifozët danezë (14’).

Mirëpo, pak minuta pasi filloi pjesa e dytë, Fabio Quagliarella e konvertoi në gol harkimin e ulët të Federico Pelusos (54’) dhe rezultati përfundimtar i ndeshjes ishte 1-1.

Leave a Reply