Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Turqisë do të kenë një mbledhje të përbashkët


E mërkurë, 13 Maj 2015

Pas përfundimit të fushatës për zgjedhjet vendore në Shqipëri, Qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Turqisë do të kenë një mbledhje të përbashkët, ku do të firmoset dokumenti i partneritetit strategjik.

Këtë e bëri të ditur sot kryeministri Rama, pas takimit që pati me Presidentin Erdogan. Mes dy përfaqësuesve të lartë u fol për rritjen e bashkëpunimit në shumë fusha, veçanërisht në aspektin ekonomik.

Rama: Do të nënshkruajmë dokumentin e partneritetit strategjik

“Traseja e çelur e bashkëpunimit dhe marrëdhënia strategjike që Shqipëria ka me Turqinë do të njohë një nxitje të mëtejshme në një sërë fushash; ku në radhë të parë u theksua domosdoshmëria e rritjes së shkëmbimeve tregtare, dhe me radhë bashkëpunimi në çështje që kanë të bëjnë me sigurinë; që kanë të bëjnë me zhvillimin rural; arsimin e shëndetësinë e padyshim me kulturën. Ne presim me kënaqësi që pas përfundimit të fushatës zgjedhore në Turqi, të kemi një takim dypalësh në nivelin e dy qeverive, një mbledhje të përbashkët të dy qeverive ku të nënshkruajmë edhe dokumentin e partneritetit strategjik,” tha Rama.

Edhe Presidenti Erdogan nga ana e tij falënderoi Ramën dhe gjithë shqiptarët për mikpritjen që gjeti në këtë vizitë në Shqipëri, dhe shprehu bindjen se pas këtij takimi marrëdhëniet mes dy vendeve do të forcohen edhe më shumë. Erdogan; Mes Shqipërisë dhe Turqëisë do të hidhen hapa shumë të frytshëm

“Dua t’ju falënderoj për mikpritjen, sepse që kur kemi shkelur në tokën shqiptare ndihemi si në shtëpinë tonë. Jam i bindur se pas këtij takimi me një mik të afërt dhe të shtrenjtë si z.Rama mes Shqipërisë dhe Turqisë do të hidhen hapa shumë të frytshëm dhe të rëndësishëm. Marrëveshjen strategjike mes dy vendeve do ta firmosnim kur unë isha kryeministër, por nuk e arritëm dot për shkak të tragjedisë që ndodhi në minierë. Tani jam këtu si President i Turqisë por shpresoj se dy kryeministrat do të takohen dhe do ta përmbyllin sa më shpejt këtë marrëveshje. Do të hedhim edhe themelin e Xhamisë së Namazgjasë bashkë me Presidentin, projekti arkitektonik është gati tashmë; pas kësaj do të kemi edhe hapjen e Xhamisë tjetër” tha presidenti i Turqisë, Erdogan.

Etiketa: , ,