Prizren Post - Nga qendra e Ballkanit!

Qeveria ende nuk di çka të bëjë me çështjen e Brezovicës

Prizren Post | 10:32 - 20.08.2016

Prishtinë – Në qershor të këtij viti, u ishte dhënë fund pritjeve të gjata për investime të mëdha në qendrën turistike të Brezovicës. Menjëherë pas dështimit të iniciativës që zgjati rreth katër vjet, drejtuesit e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë (MTI) thanë që do ta trajtojnë me prioritet të lartë ndërtimin e kësaj zone turistike. Por, përpos që nuk ka një procedim për këtë çështje, MTI-ja ende nuk ka gjetur as opsionin se si ti qaset asaj.

Në muajin qershor të këtij viti, zyrtarisht është konfirmuar se, konsorciumi francez “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, ka dështuar të sigurojë 163 milionë euro për fazën e parë të investimeve në resorin e Brezovicës.

Përfaqësuesit e MTI-së ka njoftuar që ende janë në proces të analizave se me cilin proces të shkojnë. Ndonëse nuk kanë përmendur emra të kompanive, kanë thënë që ky resor po shihet me interes të veçantë nga kompanitë e ndryshme botërore.

“Qeveria e Republikës së Kosovës ende është në proces të analizimit të opsioneve me të përshtatshme për të vazhduar me projektin. Ajo çka është e rëndësishme është se projekti i Brezovicës mbetet aktual dhe shihet me mjaft interes nga kompani të ndryshme ndërkombëtare”, ka bërë të ditur Zyra për marrëdhënie me publikun e MTI-së për lajmi.net.

Po në qershor të këtij viti, Komuniteti Drejtues Ndërministror (KDNM) kishte njoftuar se Konzorciumi i udhëhequr nga Kompania franceze ka dështuar të përmbushë përmbylljen financiare dhe të sigurojë mjetet e nevojshme financiare për implementimin e fazës së parë për Zhvillimin e Projektit të Brezovicës.

Këtë komitet drejtues, Qeveria e Kosovës e ka shpërbërë para pakë ditëve.

Me datë 10 gushtë 2016, Qeveria e Kosovës ka nxjerr vendim për shfuqizimin e Vendimit të datës 22.2.2012 dhe vendimit të datës 03.04. 2015, për themelimin e Komisionit Ndërministror për udhëheqjen e projektit për zhvillimin e Brezovicës.

Sidoqoftë, nga KDNM ishte thënë se “edhe pse procesi i tanishëm i prokurimit është duke u përfunduar, Qeveria e së Kosovës rithekson angazhimin e saj për zbatimin e Projektit për Zhvillimin e Qendrës Turistike të Brezovicës, në muajt e ardhshëm, përmes një procesi qe do të zhvillohet me procedura tjera”.

Në muajin prill të vitit 2014, Qeveria e Kosovës kishte nënshkruar me përfaqësuesit e konsorciumit francez të kompanive “MDP Consulting – Compagnie des Alpes”, një kontratë prej 410 milionë eurosh për projektin e zhvillimit të qendrës turistike të Brezovicës.

Brezovica është qendra më e madhe turistike në Kosovë që shtrihet në rajonin e Shtërpcës, një komunë e banuar me shumicë serbe.

Investitorët francezë qenë zotuar se do të krijohen mbi 3 mijë vende pune, ndërsa investimet do të kryheshin në disa faza. Në periudhën e parë 3 vjeçare, priteshin 165 milionë euro investime.

Në projekt parashihej zgjerimi apo krijimi i pistave të klasit botëror për ski, më të gjata se 100 km, që thuhej se do të ishin më të gjatat në Ballkan, të pajisura me rreth 20 teleferikë dhe pajisje tjera bashkëkohore me standarde të larta të sigurisë dhe të cilësisë më të mirë në rajon./Lajmi/


Arivisti Company